“Pas pranimit të informatës se diçka e keqe po ndodh në Stublinë dhe reagimit të banorëve të cilët edhe me peticion u janë drejtuar institucioneve komunale, me sa duket, këta të fundit, as që e kanë përfillur kërkesën e banorëve që të mos i varrosin kafshët e ngordhura në parcelën me nr. 309-ZK Stublinë”, ka thënë Latif Maliqi, Këshilltar Komunal nga radhët e LDK-së, në Kuvendit Komunal të Gjilanit
“Ne sot e vizituam dhe e pamë për së afërmi se në këtë lokacion pa kurrfarë vendimi po varrosen kafshët e ngordhura, edhe pse ky vendim nuk ka hyrë në fuqi pasi që është në procedurë të votimit ose mosvotimit nga na e Kuvendit Komunal dhe ende nuk kemi pasur mundësi të debatojmë dhe t’i shterim të gjitha mundësitë se a i përmbush ky lokalitet të gjitha kriteret që kërkohen nga AUV”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, këtë lokacion nuk e menaxhon Komuna, por është pronë e Agjencionit të Pyjeve dhe me interesimin tonë, nuk ekziston kurrfarë marrëveshje e shkruar apo e memorandum në mes të Komunës dhe Agjensionit të Pyjeve. Kjo parcelë, sipas shënimeve në ATK, ka barrë tatimore me nr 05.06.442 dhe sipas kësaj nuk mund të tjetërsohet në asnjë mënyrë.
“Në konsultim me ekspertët e veterinarisë, jemi njoftuar se të gjitha kafshët që theren duhet të groposen, bile-bile edhe rrobat e përcjellësve duhet të groposen, me qëllim që sëmundja të mos përhapet në atë lokacion. Por, ne pamë të kundërtën gjatë vizitës aty. Mbetjet nga kafshët e therura shiheshin të pa groposura, por edhe rrobat e personave që i kanë varrosur ato”, ka thënë tutje Maliqi i LDK-së.
Ai shtoi se kjo i bënë të revoltuar shumë fshatarët të cilët në këtë zonë ekskluzivisht merren me bagëti të cilët rrëfejnë se këtë hapësirë e përdorin për kullosa.
“Të kalohet nga një lokacion të parceluar me nr .708-ZK me infrastrukturë të nevojshëm i cili nuk paraqet kurrfarë rreziku për banorët dhe që nuk ka rrjedhje, dhe të dilet në një lokacion që është shumë afër rrugës Pogragjë -Dobrosin, e cila rrugë është e frekuentuar nga banorët të cilët janë të rrezikuar nga aroma dhe kundërmimi i erërave nga kafshët e ngordhura, për besë nuk do koment. Ne ju bëjmë thirrje institucioneve komunale që të heqin dorë nga ky vendim i jashtëligjshëm sepse këtu ka bazë që edhe prokuroria të merret”, thotë Maliqi.
Sipas tij, banorët e Stublinës kanë nevojë për investime në bujqësi dhe përkrahje në çdo nivel të jetës sepse jetojnë në një zonë kufitare, e jo edhe ata pak banorë që kanë mbetur t’i dëshpërojmë me veprime negative, e që këtë po e bëjnë fatkeqësisht institucionet komunale.
“Kërkojmë nga kryetari i Komunës që menjëherë të merr veprimet e nevojshme lidhur me këtë situatë të krijuar pasi që ai është me profesion jurist dhe duhet t’i njoh ligjet dhe që është i thirrur t’i zbatoj, së paku mos ti shkel ato sepse këto paraqesin precedent në të ardhmen”, ka potencuar Latif Maliqi, Këshilltar Komunal nga radhët e LDK-së në Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/