Kuvendi Komunal i Bujanocit nuk e pa të arsyeshme ta bëjë së paku një vizitë në fshatrat e Malësisë, e me theks te veçantë në fshatin Suharrën, ku biznesmeni i mirënjohur nga kjo trevë Sevdail Haziri i shpenzoi afër 150,000€ për rregullimin e rrugës Zarbincë-Suharrën.
Shkruan: Kushtrim Ajvazi
Biznesmeni në fjalë këtë kontribut po e bënë në mënyrë vullnetare dhe vetëm nga dashuria që ai ka për vendlindjen dhe assesi për ndonjë promovim personal apo diçka të tillë.
Ai po e bënë këtë gjë për t’ua lehtësuar sado pak jetën atyre pak banorëve që janë kthyer dhe po i japin jetë vendlindjes së tyre.
Deri pak më parë, rruga thuajse ishte e pakalueshme për automjete dhe banorët hiqnin të zitë e ullirit për të zbritur poshtë dhe për t’u furnizuar me gjërat elementare, ndërsa për të arritur te mjeku më i afërt nevojiteshin së paku 2 orë.
Tani që rruga është rregulluar, çdo është më e lehtë si për banorët rezidentë, ashtu edhe për bashkëvendësit e tyre që nuk jetojnë më aty, por që duan ta vizitojnë e ta gjallërojnë sado pak vendlindjen e tyre të dashur.
Nagip Arifi si kryetar i komunës, premtoi se do të ndërtonte urën në këtë fshat dhe shumë ura të tjera, dhe se menjëherë pas Festës së Bajramit do të fillonte ndërtimin e tyre, por asgjë nuk bëri. Nuk u ndie më i gjallë.
U bënë 2 muaj prej premtimit të tij, përfitoi 200,000€ nga Qeveria e Kosovës dhe prapë kurrgjë.
Pati premtuar edhe një vizitë që do t’ia bënte Malësisë, por as ajo ende nuk u bë.
Njëjtë, edhe Shaip Kamberi, prejse është bërë deputet e ka harruar fare Malësinë.
Ku po mbetet pushteti komunal karshi investitorëve që me mjete vetanake po ndërtojnë rrugë të tëra?!
Ku po mbetet pushteti që sipas ligjit është i obliguar që në projektet me bashkëfinancim të participojë me 70% të mjeteve, ndërsa banorët me 30%?!
Pasivizimi i vendbanimeve/dokumenteve po e shpopullon Malësinë, prerja e pakontrolluar e pyjeve po e shpyllëzon atë duke e lënë krejt lakuriq, e investimet vetanake nuk ndihmohen dhe nuk duartrokiten, madje edhe pengohen.
Thjesht, çka po ndodhë?! /2LONLINE.com/
/Autori është nga Lëvizja Qytetare Vatra/