Lidhja Rajonale e Futbollit (LRF) në Gjilan ka mbajtur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor për kryetar të Regjionit konform rregullave dhe dispozitave që parasheh statuti për zgjedhjen e kryetarit të regjionit.
Të pranishëm përveçse delegatëve të klubeve dhe shkollave të futbollit ishin edhe Ismajl Ajeti dhe Naser Ajeti, anëtar të Komitetit Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës, të cilët njëherësh ishin vëzhgues të këtij procesi.
Pas hapjes së Kuvendit nga kryesuesi Malazog Hoxha, u miratuan pikat e rendit të ditës dhe u caktuan komisionet punuese.
Pas verifikimit të delegatëve, u propozua kandidatura e Malazog Hoxhës edhe për një mandat të radhës nga bordi i Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, teksa nuk pati propozime të tjera edhe pse ishte caktuar afati kohor prej 30 ditëve për t’i prezantuar kandidaturat (E publikuar edhe në faqen zyrtare të LRF Gjilan).
Pas hedhjes në votim të kandidaturës së z.Hoxhës, delegatët votuan në mënyrë plebishitare me 18 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, me z.Hoxhën që u konfirmua kryetar i Regjionit të Gjilanit për mandatin 2021/2025.
Kryetari Hoxha i cili do të udhëheq LRF e Gjilanit edhe për katër vite, pas përzgjedhjes së tij ka deklaruar:
“Së pari, më vije keq që nuk pati asnjë kundërkandidat edhe pse të gjithë të interesuarit kanë pasur mundësi brenda 30 ditëve të kandidojnë. I falënderohem të gjitha klubeve dhe shkollave të futbollit të Anamoravës të cilët kishin dhe patën besim që edhe për katër vite të ardhshme t’i udhëheq drejt sukseseve të reja. Kjo përzgjedhje e imja, për të tretën herë me radhë, më bënë krenar që futbolli i Anamoravës ka besim në mua dde këtë do t’ua shpërblej vetëm me punë dhe avancim drejt sukseseve të reja. Një falënderim të veçantë do t’ia kisha dedikuar zyrtarëve dhe kryetarit të FFK-së, Agim Ademit, të cilët në çdo kërkesë tonën janë përgjigjur pozitivisht për të mirën e futbollit”
Kuvendin e shpalli të mbyllur Agim Kastrati, i cili njëherit ishte edhe kryesues i Komisionit Punues, njofton LRF-ja në Gjilan. /2LONLINE.com/