(Diskursi i parathënies)
Lexues i çmuar!
Nëse do të mund të thuhej pa modesti, se Don Lush Gjergji është njëri nga jetëshkruesit më të respektuar të shqip-shkrimit për Gonxhe Kolë Bojaxhiun, Nënën Terezë, ”Nënën e dashurisë”, përkatësisht Shën Terezën; pa mëdyshje Selatin Novosella tashmë është shqip-shkruesi më i përkushtuar i veprimtarit më të veçantë pas Luftës së Dytë Botërore, Adem Demaçit.
Mehmetali Rexhepi
Adem Demaçi u bë modeli udhërrëfyes i qëndresës vepruese paqësore, i qindra-mijëra veprimtarëve shqiptarë gjatë mbajtjes së shqiptarëve padrejtësisht dhunshëm nën Serbi, të quajtur Jugosllavi. Në modelin e Adem Demaçit u identifikuan breza veprimtarësh, të cilët mësynë dhe vijuan veprimtarinë atdhetare për çështjen e lirisë e të bashkimit të kombit shqiptar.
Sublimi i Selatin Novosellës u konceptua në pohimin sintetizues: “Pa Adem Demaçin nuk shkruhet historia e Kosovës!”
Nga arkivi i gjallë i kujtesës së veprimtarëve për çlirim e bashkim kombëtar, duke qenë edhe vetë pjesë e drejtpërdrejtë e arkivit të ngjarjeve, si dhe moria e dokumenteve arkivore në gjuhët serbe, turke, shqipe dhe evropiane, Selatin Novosella me vullnet të paepur voli, shkëputi, kërkoi, sistemoi, renditi dhe thuri tërësi mësymjesh, të dhënash, dëshmish për morinë e vëllimeve, të cilat nxjerrin në pah, dokumentojnë, pohojnë e dëshmojnë, i shohin në mënyrë krejtësisht objektive përpjekjet e kombit tonë, të luftëtarëve të flijuar dhe të gjallëve, për ta zgjuar e drejtuar vetëdijen kombëtare në kahet e rrugës për çlirim.
Vetëdijesimi lypte përpjekje, pjekuri, guxim dhe energji, shembuj të rrezikimit personal e familjarë, për t`i artikuluar kërkesat paqësore drejt ndryshimit të pozitës e të statusit inferior të shqiptarëve, për ngritjen e tyre nga subjekti historik i përjashtuar në subjekt të bashkuar politik-juridik dhe shtet-bërës.
I tëri ky rrugëtim përpjekjesh kërkonte, atdhedashuri, vullnet të hekurt, durim e kulturë, shpirtra sakrifikuesish për ta lëvizur amullinë e popullit, që populli të bëhej lumë i rrjedhshëm.
Nëpërmjet veprave të këtij shkrimtari-kronist, që vijon të shkruaj, deri tashti ka publikuar mbi 31 (tridhjetë e një) libra: portrete veprimtarësh, procese gjyqësore, monografi të veçanta për heronjtë: Rexhep Mala, Metush Krasniqi, Isë Kastrati; kronika monografike për Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), për Demonstratat e 1968-ës; për Procesin e montuar të 1975-ës; për Pranverën e 1981-it; për “Kalaja nga brenda”; për logjistikën e UÇK-s; për rrjedhat dhe hilet politike; për fitoren e lirisë; për ndërtimin dhe mbrojtjen e lirisë e të paqes; për shtet-bërje dhe institucione funksionale e demokratike të Kosovës.
Fushë-shtrirja e interesimeve të Selatin Novosellës i kapërcen caqet e një personazhi dhe kronisti. Majë-pena e tij kap edhe pamje, përfaqësime e ngjyra të sferës letrare-poetike për Adem Demaçin, në librat: “Adem Demaçi-metaforë lirie” dhe “Demaçi-aromë atdheu”.
Kapitull më vete, që nga djalëria, është veprimtaria atdhetare politike dhe organizative e Selatin Novosellës. Një jetë e tërë e shkrirë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës; me brengën e pashuar për trojet, për degët e mbetura jashtë trungut kombëtar, për trajtimin e degëve të këtij trungu si “pakica kombëtare?!”
Ndoshta “pakicat” do të ndjeheshin krejtësisht “kombëtare”, në një të ardhme të Bashkimit Evropian plotësisht të konsoliduar, të shtrirë edhe këtu? Ndoshta?… Megjithatë, në Iliri, të emërtuar Ballkan, gjithnjë të trazuar, vijon mendësia e paragjykimit të pashuar sllavë-ortodoks dhe skajshmërisë islamike, për zhbërje dhe asimilim të etnisë shqiptare!
Në mësymjet e tija Selatin Novosella asnjëherë nuk u ndal. Në Kosovë, viti 2016, u karakterizua, si “Viti i Adem Demaçit”.Të dendura i kishte ecejaket organizative për ta shënuar, respektuar, për t`i dhënë përmbajtje të sintetizuar 80 vjetorit të Bacë Ademit, nëpërmjet një vargu veprimtarish historike, kulturore, artistike, muzikore, përurime librash në qytete të Kosovës, në Maqedoninë Perëndimore, në Tiranë, në diasporën tonë të Zvicrës; konferenca shkencore…
Në publikimin institucional të bashkërenduar nga Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, doli vëllimi i denjë për një Konferencë Shkencore, “Veprimtaria atdhetare e intelektuale e Adem Demaçit”, me kumtesa të 33 autorëve profilesh të ndryshëm, prej 389 faqesh. Falë kërkesave të këshillit organizativ për përkrahje institucionale, anëtar aktiv i të cilit ishte Selatin Novosella, në krye të këtij jubileu për shënimin e jetës dhe të veprës së veprimtarit, Adem Demaçi, do të jetë kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli.
Lexues i çmuar!
Secilin autor të përgjegjshëm e ndjekin një varg shqetësimesh për prodhimin e tij shpirtëror, intelektual a dituror. Të gjitha këto shqetësime lidhen si fijet nervore me gjymtyrët e trupit; andaj edhe veprën e përshkojnë fije të tilla nervore. Ata paragrafë të veprës të cilët nuk e prekin zemrën njerëzore, nuk e joshin kërshërinë tonë, nuk zgjojnë ndjenjat, shijet, pritjet dhe interesimet tona, janë anemikë dhe të paralizuar!
Pyetjen e parë që do t`ia drejtonte autori shqetësimit të vet lidhet për reflekset e veprës. A janë funksionale faktet e shkrimit për të reflektuar konstatime, porosi, mësime të përvojës, shmangie grackash, gënjeshtrash, përkufizime të urtisë? A mund të jenë funksionale, mbresë-lënës, udhërrëfyese reflekset e veprës për t`i kapur me cilësi: qenësinë, përjetimin, humbjen dhe ngadhënjimin? A kanë shpërfaqur kompetencë paragrafët për t`i lidhur e zgjidhur, edhe përmes fragmenteve, tërësitë e ngërthimit të dukurive, t`ua lexojnë letrat në xhep urdhërdhënësve, kriminelëve të tronditur deri te zënia e gjakut të viktimave?
Vetëm atëbotë, kur arrijmë ta kapim dukurinë e trajtuar në vepër, si autor, shkrimtar e lexues të identifikuar, shkrimi, paragrafët e tij, ndjehen tërësisht të njëjtësuar: lexuesi ndjehet shkrimtar e shkrimtari lexues!
Kompozicioni i brendshëm i nëntë kumtesave publike, për disa nga veprat e Selatin Novosellës, edhe pse mëton ngjeshje të një tërësie kërkimore-ideore-tematike, stilistike të llojit dokumentar, me gërshetime të prozës tregimtare e artistike, në radhitjen e këtushme mori tipare të një mozaiku. Pas këtij pohimi vjen pyetja kureshtare: pse ngjau kështu? Ngjau kështu, sepse, ndonëse i përshkon e njëjta frymë qasjeje, e njëjta metodologji vështrim-shqyrtimi, i njëjti kriter vlerësimi, megjithatë këto kumtesa i dallon koha dhe karakteri përurues i qasjes.
Andaj, mes shkrimesh të tilla ka hyrë hapësira e kohës, që ndoshta aty-këtu solli përsëritje pikëpamjesh, dyfishim konstatimesh, duke lënë përshtypje të diskursit të karakterit përforcues, jo homogjen për tërësinë e kësaj vepre. Nënvizimi i ndjesës, besoj do të tumiret nga lexuesi!
Para se të radhiten në këtë libër këto shkrime, pothuaj se të gjitha, kanë komunikuar herë pas herësh me lexuesin dhe opinionin përurues e lexues. Nëpërmjet publikimit në faqet e kulturës, të gazetës “Epoka e re”, pos shkrimit “Ngadhënjimi i përmasës flijuese”, shkrimet tjera u botuan te gazeta e lartpërmendur, “Zëri” si dhe në portalet: “Zemra shqiptare”; “Rajoni press”; e tjera.
Nga këto shkrime përkitazi veprave të veçanta: “Malbrezi i Gjashtëdhjetetetës”; “Rexhep Mala-përuruesi i gueriles urbane” dhe “Relievit të rrëshqitshëm të lirisë”, si shkrim jubilar, me nëntitullin “Selatin Novosella; “Një kronikë dyzetepesëvjeçare”, janë përfshirë në librin eseistik-kritik “Enigma e magjikes”, të autorit Mehmetali Rexhepi, publikuar nga shtëpia botuese “Faik Konica”, në Prishtinë, më 2011.
Të njëjtat shkrime, me tituj paksa të ndryshuar “Gjashtëdhjeteteta dhe rrjedha e historisë”; “Rexhep Mala përuruesi i gueriles urbane” dhe “Përmasa e lirisë”, zunë vend, një vit më parë, në librin “Publicistika e Selatin Novosellës”, renditur e përzgjedhur, nga Prof.Dr. Emin Kabashi; botuar, në Prishtinë, më 2010.
Shkrimi “Ngadhënjimi i përmasës flijuese”, i pa publikuar, hyn drejtë për së drejti në librin : “Selatin Novosella- Kronisti i mal-brezave.”
Lexues i çmuar!
Krijimtaria e shkruar e Selatin Novosellës kaherë është në funksion të bërjes së shtetit, për vetëvendosje të shqiptarëve në hapësirat etnike, gjeografike, historike, kulturore të tyre.
Çfarë do të jetë shteti i synuar i Selatin Novosellës dhe bashkëveprimtarëve si Ai?
Shteti i ëndrrave dhe i zhgjëndrrave të idealistëve shqiptarë, kurrë nuk pushoi së qeni një fikson i bukur, edhe kur nuk dukej asgjëkund. Sido qoftë në fjalorin mendor të kësaj kategorie idealistësh e veprimtarësh, besimi për shtetin asnjëherë nuk ishte fshirë. Nuk ishin fshirë kuptimet për jetësimin e shtetit, edhe kur çështja e kësaj etnie ishte strukur vetëm në ndërdyme, sepse shtyhej në zgripe të ekzistencës biologjike!
Me të gjithë përbërësit e natyrshëm brenda tij, shteti do të ndërtohej me ligje të standardeve, të parimeve, rregullave, kritereve, vlerave dhe të përgjegjësive të përbashkëta bashkëkohore, krejtësisht demokratike.
Në përbërje të këtij shteti etnia, morali dhe njerëzorja nuk do ta përjashtojnë, por do ta ushqejnë njëra-tjetrën, në të gjitha anë-shtrirjet e jetës së organizuar shoqërore e shtet-ndërtuese.
Të gjitha ngërthesat që përmbushin faqet e krijimtarisë së shkruar të Selatin Novosellës, përmbledhur në dhjetëra vëllime, nuk japin shkas për zbërthimin e urrejtjes si substancë helmuese për sojin njerëzor. Urrejtja si kuptim, si nocion individual a shoqëror, në tërësinë e korpusit të shkruar të këtij autori, secilën herë është shmangur, me gjithë zjarrin e brendshëm të saj, me gjithë shkaset e shkaqet e imponuara të trajtave të ndryshme të dhunës të elitave politike, shtetërore, policore e ushtarake të Serbisë!
Pena e këtij autori nuk e zbardhoi ngjyrën e zezë të urrejtjes, por as nuk e nxiu më tej realitetin e saj! Si është e mundur?! Nga thelbi i kësaj mundësie është ngritur madhështia njerëzore dhe ajo etnike! Në thelbin e këtij realiteti është lëngu i madhështisë etike, etnike dhe jetike i njerëzores, që absorboi helmin e urrejtjes së tjetrit, dhe doli fitimtar mbi paragjykimin, racizmin, ksenofobinë, “albano-fobinë…”
“Atyre që na fusin në borxh”* kombëtar e njerëzor, pos me “frymëmarrje” të çiltër mund t`ua kthejmë ca dromca të atij borxhi hyjnor të papaguar…
Si njëri nga ata që ndjehen borxhli u ndjeva dhe unë, për të lexuar, nënvizuar, veçuar, komentuar, tumirë e vlerësuar, dhe për tu identifikuar me këto përmasa jete e veprimi, për kapjen e tyre në trajta të shkruara, përkitazi veprimtarit të dyzuar, kronistit e publicistit, Selatin Novosella dhe brezit të veprimtarëve të tij.
I pajtuar me unin tim, si korrigjues i bëmave të jetës sime, doli pohimi, se diçka është jetike e njeriut për njeriun: ndjeshmëria me ndjeshmëri të ndërsjellë!…
*Rexhep Elmazi “Frymëmarrje”; Rilindja, Prishtinë, 1972, f. 28