(2L ONLINE) – Ka shumë lypsarë rrugëve të Kosovës. Pleq, gra, të moshës madhore si dhe fëmijë që nga ata më të vegjlit! Ka nga ata të cilët lypin dhe të shokojnë duke ekspozuar gjymtyrët e tyre të sakatosura, pleq të leckosur e të pa larë si dhe femra të mbuluara për hatër të trendit të ri dhe fëmijë fare të vegjël. Dhe kush e di, interesin dhe urdhrin e kujt zbatojnë këta!
Ka të tillë ”modern” që me paragon në dorë lypin për ndonjë shoqatë kinse humanitare dhe paguhen me rrogë per lypjen që bëjnë si dhe lypsarë të ”importuar” në fakt të ardhur nga Shqipëria ”sikur nuk na mjaftojnë këta tanët” po thoshte një grua, kur pa një grup që ishin ulur në sheshin në qendër të Prishtinës dhe bënin muzikë për lëmoshë.
Kurse këtu në Gjilan ka një grup familjarësh edhe këta thuhet se janë nga Shqipëria, kryesisht femra të mbuluara të percjelluar nga fëmijët të cilët merren me vete për tu shkolluar me zanatin e lypsarit dhe janë pjellë e një ”fabrike” familjare që prodhon dhe edukon lypsarë.
Këta ka vite që ushtrojnë lypsarinë këtej pari dhe befasojnë me kreativitetin e tyre prej lypsari. Tani në reportuarin e tyre është e lypmja me gra të mbuluara si dhe duke përdorur një fotografi të kinse një fëmije të sëmurë që këta po e ndihmuakan!
Dhe është e çuditshme se si tolerohen këta të bëjnë biznesin e tyre e sidomos këto grupe që haptazi përdorin, stërpërdorin e keqpërdorin fëmijët e tyre për një gjë që as nuk duhet tolerua e as nuk lejohet!
Është tronditëse kur sheh fëmijë që në vend se të jenë diku në shkollë duke u përgatitur për një ardhmëri ma të mirë,ata shtrihen betoneve të ftohët ashtu të zbathur e zhveshur dhe luajnë lojën e një të mjeri si aktorë nën regjinë e një regjisori të pa skrupull!
Ose të tillë që mezi janë rritur dhe qëndrojnë në këmbët e veta ndërsa në krahë mbajnë një fëmijë tjetër të vogël që kush e di kur është ushqyer për herë të fundit!
Për këtë dhe gjëra të tjera është shkruar edhe më parë këtu në portalin tonë në detaje dhe për të njëjtat por nuk se ka një ndryshim. E do duhej të kishte të paktën për hir të së ardhmes të këtyre fëmijëve!
/Xhelil ARIFI/ 2L ONLINE/