Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri mbajti sot konferencë për media ku u fol për rreziqet që po i vijnë Kosovës nga lëshimet që i bëri Thaçi karshi Serbisë vetëm e vetëm që të votohej për President. Ashtu siç “Zajednica” nuk bëhet dot pa Thaçin e Mustafën, ashtu edhe Thaçi e Mustafa nuk mund t’ia bëjnë dot pa “Zajednicën”. Votimi i kontrabanduar, i shantazhuar, i transaksionuar i Thaçit e shpërfaq më së miri këtë ndërlidhje mes “Zajednicës” dhe pushtetit të tyre.
“Thaçi nuk votohej dot për President pa u zotuar edhe një herë para Vuçiqit për themelim të “Zajednicës” dhe pa e marrë bekimin e tij. Votimi për Thaçin u shndërrua kështu në konfirmim të “Zajednicës”. Thaçi, sikur bashkëpunëtori i tij Mustafa, janë bërë një me “Zajednicën”. Sa më lartë synojnë të ngjiten, që ta kapin shtetin sa më gjerë e sa më thellë, aq më shumë duhet t’i japin Serbisë, vertikalisht në kompetenca e horizontalisht në territore”, tha Ymeri. Ai shtoi se ky votim i kushtoi buxhetit të Kosovës shuma marramendëse parash, një licencë për terminal doganor, e kosto të tjera për të cilat sigurisht se do të dëgjojmë në të ardhmen, politizim të mëtutjeshëm të OSHP-së me përfaqësues të Listës Serbe.
“Por më e dhimbshmja, rrezikon t’i kushtojë Republikës së Kosovës me “Zajednicë” sipas marrëveshjes së 25 gushtit 2015 (pra kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese) dhe me zgjerim të territorit të kësaj “Zajednice” me edhe së paku një komunë, atë të Prilluzhës.
Fshatrat Prilluzhë, Gracë, Babimoc edhe Plemetin, mendohet të jenë 4 fshatrat fillestarë për ta themeluar Komunën e Prilluzhës. Gjëja e parë që prek themelimi i një komune të tillë është bazeni i linjitit dhe termocentrali. Fshati Plemetin është thuajse i kufizuar me termocentralin dhe me një pjesë të pasurive të linjitit në Kosovë. Kjo do të thotë se themelimi i Komunës së Prilluzhës, i jep të drejtë kësaj komune që ta kontrollojë dhe kushtëzojë përdorimin e thëngjillit, në këtë rast për prodhimin e energjisë elektrike”, u shpreh Ymeri, duke shtuar se përmes themelimit të kësaj komune dhe integrimit të saj në “Zajednicë”, Serbia merr kompetenca shtesë, vendimmarrëse në përdorimin e thëngjillit të Kosovës.
Në territorin e kësaj komunë kalojnë edhe hekurudha, rruga nacionale, lumi Sitnica dhe kanali Ibër-Lepenc. Toka bujqësore në këtë rajon ka rendiment të lartë, dhe me themelimin e kësaj komune rrezikohet që nën menaxhimin e “Zajednicës” që duan ta themelojnë Thaçi e Mustafa, ajo tokë të tjetërsohet. Një pjesë e tokave të banorëve të fshatrave Stanoc i poshtëm dhe Stanoc i epërm, që nuk do të jenë pjesë e Komunës së Prilluzhës, rrezikojnë të mbesin në Komunën e Prilluzhes pas ndarjes kadastrale.
Ne nuk do të lejojmë që kjo të bëhet kurrsesi realitet. As “Zajednica” as zgjerimi i saj në kurriz të Vushtrrisë e Obiliqit.
Ftojmë veçanërisht banorët e këtyre zonave, këshilltarët komunal, punonjësit e sektorit energjitik që sa më shumë e më intensivisht të organizohemi në parandalimin e këtyre dëmeve., thuhet në fund të komunikatës së vetëvnedosjes.