Librat në gjuhën shqipe duhet të lejohen në Luginën e Preshevës kurse institucionet shkollore të cilat mësojnë në gjuhën serbe në Kosovë të mos drejtohen nga Beogradi, por nga Prishtina. Këto ishin dy përfundimet e temave kryesore të debatit, njofton Vet[vendosje.
Ndihma e Shqipërisë u kërkua nga shumë të pranishëm në këtë debat, të organizuar nga Komitetit për Arsim dhe Kërkim Shkencor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Megjithatë u tha qartë se lidhur me Luginën e Preshevës roli i Republikës së Kosovës është parësor. Çështja e minoriteteve dhe arsimimit të tyre është një çështje e pazgjidhur në Luginë. Sikundër është një çështje plotësisht e patrajtuar nga Republika e Kosovës sa i takon integrimit të mësimit në gjuhën serbe brenda sistemit të Kosovës.
“Në Kosovë kemi dy sisteme paralele të arsimit. Ai në gjuhën shqipe dhe ai në serbisht që menaxhohet drejt nga Beogradi. Nxënësve serbë të Kosovës u mësohet në shkollë armiqësimi me shtetin në të cilin jetojnë”, tha deputeti Mytaher Haskuka.
Ismajl Kurteshi foli për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës. “Janë rreth 100 mijë libra të dërguara për në Serbi, por ato po mbahen në depo të vend se t’i përdorin rreth 10 mijë nxënësit e Luginës”, tha Kurteshi. Ai shtoi se faji është i Qeverisë së Kosovës që në Bruksel flet vetëm për çështje të brendshme të Kosovës. Si problem tjetër, ai përmendi edhe mosnjohjen e diplomave të universiteteve të Kosovës në Serbi.
“Ka qenë kërkesë e jona që të furnizohemi me tekste në shqip sepse shkollat tona po punojnë me tekste që në disa raste vijnë nga koha e Millosheviqit”, tha Shaip Kamberi, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, në fjalën e tij në këtë debat. Të pranishmit e pohonin se mungesa e reciprocitetit me Serbinë po i shton çdo ditë e më shumë problemet e qytetarëve.
Ragmi Mustafa nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut tha se “Pavarësisht nevojës për reciprocitet nuk ka asgjë reciproke me Serbinë. Në 5 vitet e fundit numri i nxënësve në Luginë është zvogëluar 25 për qind”.
Ndërkaq Besa Luzha nga Friedrich Ebert Stiftung ngriti edhe shqetësimin e mësimit shqip në diasporë. Ajo tha se duhet koordinuar me Republikën e Shqipërisë. Përpos që shtoi se duhet një kongres mbarëkombëtar ku strukturojmë rrugën përpara. Ndërsa sa i takon formës aktuale të negociimit me Serbinë ajo u shpreh se as nuk priten rezultate as nuk është prioritet zgjidhja e arsimimit shqip në Luginë të Preshevës.
Besa Shahini tha se nëse analizohen tekstet shkollore në gjuhën serbe kupton që paralelizmi i tyre flet për një realitet të paqenë ku Republikës së Kosovës i referohen si “Kosovë e Metohi”, kurse luftës së fundit në Kosovë si evazion i NATO-s. “Ndërkaq, në Universitetin e Prishtinës prej 15 vitesh nuk ka ardhur asnjë aplikacion nga studentët serbë”, shtoi ajo.
Kurse Gafurr Hyseni, drejtor shkolle në Preshevë u shpreh se marrëveshjet për transportin e teksteve shqip kanë qenë një lojë politike.
Jusuf Thaçi studiues në fushën e edukimit theksoi problemin e mosnjohjes së diplomave dhe pamundësimin e punësimit të të rinjve shqiptarë të Luginës së Preshevës në Serbi. “Tekstet shkollore duhet të trajtohen nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut. Çdokush ka të drejtën të shkollohet në gjuhën e tij”, shtoi më tej Jusuf Thaçi.
Halim Hyseni i kundërshtoi marrëveshjet e arritura në Bruksel duke thënë se nuk i kanë sjellë asnjë të mirë shqiptarëve. “Ne duhet të jemi të dinjitetshëm. Nuk duhet të lejojmë që Serbia të tallet me ne. Këto, me të cilat po përballemi sot janë derivate i një sistemi arsimor të degraduar”, tha ai.
Bekim Beka tha se Lugina nuk duhet të presë nga udhëheqja në Prishtinë se do të ndryshojë diçka për ta. Një kontribut të cilin e ka në dorë është heqja e pagesës për semestër për studentët nga Presheva, por nuk e ka bërë.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë Hydajet Hyseni tha se këtë problem e kemi trashëguar, por është keqësuar si rezultat i politikës aktuale që është vazhdimësi e ndjekjes së politikës së njëjtë.
Të pranishmit u pajtuan se për këtë çështje të përbashkët duhet rritur më shumë solidaritet. Ky është debati parë në Kosovë lidhur me këtë temë i cili organizohet me këtë format.