Lëvizja Vetëvendosje në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka mbajtur një tubim për të diskutuar lidhur me moszbatimin e qëllimshëm nga Qeveria e Kosovës të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Aty u lexuan dëshmi të viktimave dhe u diskutua për njohjen e statusit së kësaj kategorie. Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri tha se përmes dhunës seksuale dhe shkatërrimit ekonomik, Serbia ka dashur që të lërë pasoja afatgjate në popullin tonë.
“Ajo që quhet ‘normalizim i marrëdhënieve’ e nganjëherë ‘pajtim’, nuk është mes popujve se s’janë të përfshirë fare, dhe as mes shteteve sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, por mes pushteteve, mes Vuçiqit, Mustafës e Thaçit”, tha Ymeri.
Krimet e dhunës seksuale ai tha se i kemi trajtuar në mënyrë të gabueshme dhe të dëmshme. ”Ne si shoqëri e kemi trajtuar këtë problem në mënyrën më të keqe të mundshme, duke e injoruar, me një dimension maçoizmi, duke mos e pranuar se këto krime na kanë ndodhur. Pra, duke pohuar se edhe nëse kanë ndodhur, nuk na ka ndodhur ne, por grave e vajzave. Kjo nuk është e vërtetë: këto krime i kanë ndodhur popullit të Kosovës. Ky nuk është faj, por është krim. Kjo është nuk është arsye për turp, por për revoltë.”, tha më tej Ymeri.
Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës Aida Dërguti tha se mos zbatimi i këtij ligji nga Qeveria përbën shkelje të rëndë. “Kanë kaluar tri vite që nga aprovimi i ligjit për njohjen e statusit të personat e dhunuar seksualisht në luftë dhe Qeveria nuk po e zbaton ligjin për këtë. Kjo përbën shkelje të rëndë.” Ndërkaq, Këshilli i formuar nga Presidenca për këtë punë nuk ka bërë asgjë. Përfshirja e Arban Abrashit në këtë Këshill, vetëm e ka penguar zbatimin e këtij ligji”, tha Dërguti.
Nazlie Bala, Drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste lexoi disa nga dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale gjë e cila i preku të pranishmit.
“Dëshmitë e mbledhura nuk ishin vetëm një copë letër, ato kanë një histori më vete, nuk janë vetëm shkronja të alfabetit ato janë më shumë se dhimbje me shumë histori e së vërtetës”, tha Bala. Ajo përmendi se përkundër mbledhjes së dëshmive, ato nuk janë adresuar në mënyrë që të kompensohen këto viktima dhe të vihet drejtësi për to.
“Krimi u bë edhe më i rëndë nga administrate ndërkombëtare në Kosovë, që dëshmitë e mbledhura nga shoqatat për gratë e dhunuara i ka shkatërruar apo zhdukur, me të vetmin qëllim, mbrojtjen e shtetit serb”, shtoi Bala gjatë fjalës së saj.
Kurse Albana Gashi, ish deputetja që e ka ndjekur çështjen e ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës ka folur për pengesat në të cilat kishte hasur ky ligj i hartuar dhe propozuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! derisa u aprovua. “Gjuha e ashpër dhe kudnërshtuese atë ditë në Kuvend nga ana e deputetëve të pushtetit, pati shkaktuar kërcënimin për dhunën fizike ndaj aktivistes Nazlie Bala.
Pas përfundimit të këtij tubimi, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë zhvilluar edhe një aktivitet. Ata kënë shpalosur një hartë të madhe afër Qeverisë me lokacioneve ku ka pasur dhunime masive.
“Emrat që shihni në hartë janë lokacionet ku gjatë luftës së fundit janë përdhunuar 20.000 gra dhe vajza si dhe burra e djem. Dhunimet kanë qenë të organizuara si pjesë e operacioneve ushtarake të Serbisë. Edhe gati 20 vite pas luftës, asnjë ushtarak i Serbisë nuk është dënuar apo nuk është në proces gjyqësor”, tha aktivisti Nol Nushi.gjatë prononcimit për këtë aktivitet.
Të dy këto aktivitete kishin për qëllim thirrjen që 8 Marsi t’i takojë organizimit për liri e barazi në shoqëri. 8 Marsi të jetë i vendosmërisë dhe i ngritjes së zërit.