(2L ONLINE) – Banorët e fshatit Kokaj të Gjilanit, pritën kryetarin e komunës, nënkryetarin dhe drejtorin për shërbime publike. Fshati Kokaj gjendet mu në kufi me me Serbinë, dhe në një mënyrë, edhe i ndarë nga kufiri ku në anën tjetër gjendet fshati Ranatoc.
Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri dhe shumë aktivist të tjerë’ kanë vizituat fshatin Kokaj për të vëzhguar punimet e rrugës që filluan para disa ditësh.
Nga këta zyrtarë marrim vesh se pas përfundimit të punimeve në qytet e fshatra, tashmë janë në përfundim punimet e rrugëve të rendit të tretë në lagjen “Kacabash” të muhaxherëve të Pogragjës me gjatësi prej 2.6 kilometra, si dhe rruga që i lidhë fshatrat: Llovcë, Kokajt e Epërm, Kokajt e Poshtëm, Lagjen e Gurinës, Sllubicën dhe Pogragjën me gjatësi prej 8 kilometrash që përfshinë të gjitha lagjet e tyre.
Banorët e fshatit Kokaj, sikur edhe ata që janë shpërngulur më herët nga fshati, kanë dalur për ta pritur kryetarin e komunës, Lutfi Hazirin. Këtë rast ata e shfrytëzuan për të biseduar dhe për t’iu falënderuar kryetarit Haziri për plotësimin e premtimit për ndërtimin e rrugës e cila si pasojë do të ndikoj në përmirësimin e kushteve jetësore në këtë vendbanim pothuajse të harruar.
Ka mbetur për tu hapur vetëm rruga që shkon deri te objekti i shkollës, e cila, për fat të keq, tashti ka mbetur pa nxënës. Banorët janë shprehur të kënaqur sepse më në fund u janë ngjallur shpresat që të qëndrojnë në pronat e tyre edhe të kthehen për të investuar në meremetimin e shtëpive të tyre të dikurshme. Ata janë të kënaqur me përkrahjen e kryetarit Lutfi Haziri në projektin e hapjes dhe shtruarjes së rrugëve me zhavorr, rrugë të cilat po hapen edhe në ato lagje ku nuk ka hy eskavatori më parë dhe që kanë qenë të pashtruara shtruara me zhavorr. Haziri, premtimin e dhënë banorëve se, çdo shtëpi e banuar do ta ketë rrugën deri në oborr të shtruar me zhavorr, pothuajse gati e ka realizuar.
Prezencën e kryetari Haziri dhe bashkëpunëtorëve të tij, fshatarët e shfrytëzuan për të biseduar në lidhje me kushtet dhe mënyrën e jetës në këtë fshat shumë karakteristik i cili përbëhet nga tri lagje të ndara në largësi 2 – 3 km nga njëra tjetra. Edhe pse në Kokaj kanë mbet pak banorë, të rinjtë e këtij fshati janë nxënës dhe student të dalluar të Komunës. Dy student nga ky fshat janë të shkëlqyeshëm në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Kryetari Haziri premtoi se do të angazhohet që kta dy student, por edhe dy nxënësit tjerë, po ashtu të shkëlqyeshëm në ShM të Mjeksisë, të gjej forma të stipendimit.
Kryetari Haziri në Kokaj takoi edhe mërgimtarët të cilët pushimet janë duke i kaluar në Kosovë e që sot kishin dalur edhe ata për ta vizituar fshatin e tyre sepse tashmë rrugët i qonin deri te shtëpitë e tyre të lëna shkret për shkak të mungesës së rrugëve.
Mërgimtarët theksonin se pas përfundimit të rrugëve, të cilat u mundësojnë shfrytëzimin e pronave të tyre, do të investojnë në adaptimin e shtëpive të dikurshme, e pse jo edhe në ndërtimin e vikend shtëpive të cilat do t’iu shërbejnë për t’i kaluar pushimet dhe vitet e pleqërisë.
Në Kokaj, tashmë janë meremetuar një numër i konsiderueshëm i shtëpive por ka filluar edhe ndërtimi i shtëpive të reja siq është rasti në lagjen e Poshtme, ate të Gurinës, por edhe në lagjen e Epërme.
Edhe në këto kushte, çfarë ishin deri më tani, në Kokaj ka bletarë, pemëtarë, blegtorë të zellshëm. Rruga e ndërtuar, atyre do t’iu mundësoj që prodhimet tashti t’i dërgojnë më lehtë në treg.
Brengë e madhe për banorët e fshatit është edhe mirëmbajtja e objektit të shkollës i cili është në masë të madhe duke u shkatërruar. Hapja e rrugës, dhe shtruarja me zhavorr, do të jetë një mundësi e madhe që ky objekt, sipas të gjitha gjasave vështirë se do të shfrytëzohet për mbajtje të mësimit, të kaloj nën mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore të Komunës. Objekti i shkollës në Kokaj është vepër e plakut Nezir Halili-agja Nezë, i cili dha gjithçka nga vetvetja dhe ndërtoi shkollën me vetë kontribut, vetëm e vetëm që fëmijët e fshatit ta kenë shkollën më afër dhe mos të mbesin të pa arsimuar
Kryetari Haziri tha se ishte impresionuar me vullnetin që kanë këta banorë për të jetuar në këtë fshat piktoresk dhe me bukuri të rrallë natyrore. Ne u mundësuam atyre atë që nuk e kanë imagjinuar që të udhëtojnë me vetura për të shkuar në fshatin e tyre, e lëre më të shkojnë prej lagjes në lagje.
“Kjo është një vazhdimësi e punimeve të shumta që jemi duke i realizuar në shumë fshatra dhe lagje të qytetit në infrastrukturë që përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rrjetin e kanalizimit, të ujësjellësit dhe ndriçimin publik. Punët e mira do të vazhdojnë edhe në të ardhmen për t’i zgjidhur të gjitha problemet infrastrukturore dhe problemet tjera”, ka thënë kryetari Haziri.
Nga ana e tyre, banorët e asaj ane falënderuan kryetarin Haziri për kujdesin duke thënë se do ta kenë shumë më të lehtë jetesën në fshatin e tyre.
/Ismet Azizi/