“Sot nga Kuvendi XII i Degës, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin X të LDK-së, mora besimin e të gjithë delegatëve për udhëheqjen e Degës në Gjilan edhe për katër vitet e ardhshme, sikurse edhe Kryesia e re”, ka thënë Lutfi Haziri i cili mori besimin për kryetar të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Gjilan.
Haziri tha se ky Kuvend, siç u shpreh ai, madhështor e solemn, vjen pas kuvendeve të 41 nëndegëve, në të cilat morën pjesë 3140 anëtarë, ndërkaq nga java e ardhshme do të konstituohen edhe organet e reja, përfshirë katër sekretariatet dhe 11 komisionet profesionale, të cilat do t’i kenë afro 200 profesionistë të jashtëzakonshëm.
“E falënderoj shumë për prezencën dhe mbështetjen, kryetarin e LDK-së, mikun tim, Lumir Abdixhiku, i cili përçoi mesazhin e madh se këtë ditë duhet ta shohim, jo si fund të procesit angazhues, por përkundrazi, si një ditë fillestare të angazhimit tonë kolektiv, që nis në Gjilan e Anamoravë dhe vazhdon në çdo cep të Kosovës, për të rikthyer dinjitetin e Republikës së Kosovës, në shpëtimin e madh kombëtar që na pret”, ka thënë Haziri
Ai po ashtu ka falënderuar të gjithë për besimin e dhënë, burrave e grave, të rinjve e të rejave, veprimtarëve e aktivistëve, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës së UÇK-së, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj meje dhe LDK-së.
“Do të punojmë edhe më fort që zotimet tona politike e programore t’i bëjmë detyra të përditshme në këtë pjesë të Kosovës dhe kudo që jemi bashkë në punë. Synim yni është që rreshtin e gjatë të bashkëpunëtorëve e bashkëveprimtarëve, ta shtojmë e të mobilizohemi edhe më shumë”, ka thënë tutje Haziri.
Sipas tij, përveç ruajtjes së lirisë, pavarësisë e demokracisë së Kosovës, LDK i ka po aq të barasvlershme marrëdhëniet speciale dhe të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është detyrë dhe mision, po ashtu, që në rrafshin e buxhetit lokal të fokusohemi në problemet lokale, ta rrisim besimin se me rikthimin e LDK-së do ta zhvillojmë programin për familjet gjilanase e programet tjera zhvillimore. Është fatkeqësi e madhe që të gjitha programet për familjen e ato infrastrukturore për Gjilanin, pushteti aktual në nivel lokal dhe qendror, i ka stagnuar, i ka degraduar e stërkequr, duke mbetur aty ku i kemi lënë ne si LDK. Mund t’i vonojnë por kurrë s’mund t’i ndalni sepse kemi punuar shumë që t’i bindim qeveritë mike dhe organizatat e fuqishme financiare ndërkombëtare”, ka thënë Haziri.
Më tej, ai tha se kryesia e re, me mandat dhe strukturë të votuar, merr mbi vete misionin e rikthimit te madh të LDK-së në Gjilan, për të vazhduar në tërë Kosovën.
“Gjilani meriton më shumë dhe më mirë”, përfundoi, kryetari i LDK-së së Gjilanit edhe për katër vite, Lutfi Haziri. /2LONLINE/