Me rastin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Hamdi Zymberi, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zymberi. Në telegram thuhet:
“E nderuara familje Zymberi,
Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, intelektualit e njeriut të jashtëzakonshëm, Hamdi Zymberi.
Hamdiu një jetë të tërë ia kushtoi kauzës për lirinë e shqiptarëve dhe këtë e pagoi me burgim nga regjimi i kohës, duke u torturuar në mënyrën më çnjerëzore.
Edhe pas daljes nga burgu, ai nuk hoqi dorë nga kjo kauzë, pasi ishte përgjegjës i një grupi për përgatitje ushtarake në vitet 90-ta kundër okupimit.
E dashur familje Zymberi, në kohën kur po përballemi pandeminë dhe në pamundësi të vizitës në shtëpi, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.
Ngushëllime edhe shokëve të idealit, miqve e farefisit.
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!”, thuhet në telegramin e kryetarit Lutfi Haziri.