Tani më është çështje orësh kur viti 2017 do të përfundojë, shumë çështje lë pezull dhe shumë kë në pritje, për shumëçka. Aktualisht skenën politike, jashtë publikut të gjerë, po e dominojnë bisedat, diskutimet, thashethemet, rreth përbërjes së qeverisjes së re, rreth asaj se me kë do të lidhen koalicionet, kush do të kryesojë Kuvendin Komunal, kush do të jetë nënkryetar komune, a pozita tjera drejtuese.
Të gjithëve po u ngutet, që këto sa më parë të kryhen, por duket se i vetmi që ndihet komod dhe nuk e ka fare me nxitim, është vet kreu i Komunës Lutfi Haziri – Luta.
Në radhë të parë, të padurueshëm brenda vetës së tyre, por tani për tani të disiplinuar, për të mos u shpërfaqur hapur në publik, janë vetë përfaqësues të LDK-së, partisë fituese. Drejtorët aktual, ata që synojnë këto pozita, por edhe të tjerë për pozita tjera, apo interesa tjera, me padurim presim se çfarë do të vendos dhe a do të jenë ata, pjesë e matematikave, që do t’i bëjë kreu i komunës, Lutfi Haziri-Luta, që njëherësh është edhe kryetar dege.
Po ashtu edhe pozita e kryesimin të Kuvendit, i bënë disa në LDK, të presin me padurim se çfarë do të bëhet me ta, a do të jenë të përfshirë, pasi rreth këtij posti ka të interesuar të cilët po punojnë në këtë drejtim. Së paku, katër prej anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e LDK-së, e duan për veten e tyre atë pozitë.
Në një prononcim të shkurtë për Portalin 2LONLINE, kreu i Komunës, Lutfi Haziri – Luta, ka premtuar se përgjatë muajit janar do të kryhen këto, do të kemi edhe atë që do e kryesojë Kuvendin Komunal si dhe do të kemi pastaj edhe Bordin e ri të Drejtorëve dhe mekanizmat tjerë të parapara, me emrat konkret që do të jenë nëpër këto pozita.
E, kur jemi te koalicionet e mundshme, të padurueshëm, por po ashtu, të kujdesshëm dhe të përmbajtur, po tregohen edhe subjektet e tjera politike. Edhe atyre si duket po iu ngutet të kryhet kjo çështje sa më parë, për t’u pozicionuar qartë se në cilën anë do të jenë, që të mund ta zhvillojnë pastaj aktivitetin e tyre politik, qoftë si pozitë, qoftë si opozitë.
Edhe për këtë çështje, Haziri tha se do të kryhet, duke thënë se me shumicën, kanë pas bisedime dhe në parim kanë dakordime, ndërsa ka pranuar se bisedime nuk kanë pasur, deri më tani, vetëm me PDK-në dhe Vetëvendosjen, por Luta ka shtuar se edhe me ta do të jenë të hapur dhe të gatshëm për t’u ulur në tavolinën e bisedave, që la të nënkuptohet se oferta do t’u bëhet edhe atyre.
Po një çështje që mund t’i thyej shtizat qysh përpara këtyre bisedimeve, mund të jetë çështja e nënkryetarit të komunës. Siç e dimë në qeverisjen paraprake, kjo pozitë iu është dhënë partnerit të koalicionit, por se nga ajo që ka deklaruar tani kreu i komunës, duket se kjo nuk do të ndodhë më, e kjo mund t’i vështirësojë bisedimet e mundshme, pasi pikërisht subjektet më të mëdha, shembull si PDK-ja apo AAK-ja, mund ta kenë kusht kryesore, tu jepet posti i nënkryetarit, krahas hises që mund ta kërkojnë për drejtori.
Luta ka qenë i prerë sa i përket pozitës së nënkryetarit të komunës, duke thënë se të gjithë ata që mund ta mendojnë si temë bisedim dhe si çështje marrëveshje për koalicion edhe pozitë ne nënkryetarit të komunës duhet ta harrojnë këtë. Ai u tregua i prerë duke deklaruar shkurt. “Është punë e kryer, nënkryetari do të jetë i LDK-së”.
Duke e sqaruar pse është i prerë në këtë drejtim, pasi pikërisht subjektet më të mëdha mund ta shtrojnë në tavolinë si çështje kyçe për ndonjë marrëveshje, Luta, duke aluduar në mbështetjen që ka pasur për tu zgjedhur kryetar, tha se, si kryetar komune ka marr besimin përtej LDK-së, duke u votuar edhe nga qytetarët tjerë, anëtar të partive tjera dhe ata pa parti, dhe se LDK, si parti fituese, do ta ketë nënkryetarin e komunës, andaj kjo çështje është e mbyllur.
Tani, të gjithë e presin janarin për t’i parë zhvillimet politike, veprimet konkrete dhe efektin e atyre veprimeve, sidomos në vet LDK-në, pasi një gjë është e qartë, ka më shumë të interesuar se sa që mund të rehatohen, andaj domosdo kjo bënë që në fund të kemi edhe një pjesë bukur të mirë të të pakënaqurve.
Si do ta menaxhojë këtë situatë LDK-ja, pritet të shihet. Për kryesues, së paku janë katër të interesuar, për nënkryetar së paku dy, e për drejtorë të drejtorive, plotë! Të interesuarit, me synime konkrete në politikë, mund të presin që 2018-ta t’u jap atyre përgjigjen që e duan!
E ne, vetëm mund t’u themi të gjithëve:
Gëzuar Viti i Ri – 2018. /2LONLINE/