/2L ONLINE/ – Kohë më parë, kreu i Komunës dhe i LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri-Luta, nuk kishte dashtë t’i komentojë kritikat e akuzat, që vinin qoftë nga anëtarët e Kuvendit nga radhët e PDK-së, qoftë nga anëtarët e kryesisë së këtij subjekti, duke i konsideruar të papërgjegjshëm në deklarime, për t’u marrë me ta. Për më tepër, Luta kishte thënë se në atë parti nuk ka rend, as pas ardhjes së Zenun Pajazitit në krye të Degës.
Lidhur me këtë, reagimi i Shefit të Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, ishte i stilit mospërfillës për këto deklarime të të parit të komunës dhe LDK-së së Gjilanit, duke thënë se ai e ka humbur busullën moti.
“Fare nuk e kemi zorin e përshtypjeve të Lutës për PDK-në, por ne e kemi zorin e qeverisjes së keqe të tij. Luta ndoshta është mësuar me atë se LDK-ja pyet në PDK, për vendimet që i merr ajo në strukturat e saj”, ka thënë Abazi për Portalin 2L ONLINE.
Ai tha se Luta e ka lënë Gjilanit dhe i ka lënë qytetarët e saj pa perspektivë dhe në një represion ekonomik, por se mandatit të tij në krye të Gjilanit po i vije fundi, sepse ai është një dështues i madh e shkalla e pakënaqësisë së qytetarëve po kulmon dita-ditës. /2L ONLINE/