(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, apo “Luta” siç e quan shpesh edhe vet LDK-ja e Gjilanit në komunikimin zyrtar të saj, ka shfrytëzuar mbrëmë rastin që gjatë ceremonisë së certifikimit të studentëve ndërkombëtar e vendor që ishin pjesë e Programit Ballkanik të Paqes, ta bëjë edhe përshëndetjen e tij, tradicionale që nga zgjedhjet e fundit, duke e vendosur dorën e shtrirë në ballë.
Me përshëndetje të tilla jemi mësuar, por se kjo e mbrëmshmit, nuk kishte të bënte fare me ngjarjen, por është kuptuar si një selam për opozitën, një “provokim’ i vogël, konkretisht për PDK-në e Gjilanit, pasi ditën e djeshme, nuk ka munguar komunikimi fërkues në këtë relacion, në lidhje me ruajtjen apo jo të aseteve të komunës nga privatizimi që po e bënë AKP.
Fillimisht kryetari Haziri kishte mbajtur një konferencë me gazetarë ku i kishte bërë thirrje qeverisë në detyrë që të mos e lejoj të nëpërkëmben asetet e Komunës së Gjilanit. Ai tha se ka kërkuar nga institucionet qeveritare që gjatë kësaj faze të tranzicionit dhe ndërtimit të qeverisë, të ndalet çdo lloj veprimi e aktiviteti që shkon me privatizim apo me proces të likuidimit në kuadër të procesit të privatizimit që Komuna e Gjilanit është goditur.
(shih shkrimin: (Haziri: Qeveria në detyrë të mos lejojë të nëpërkëmben asetet e Komunës)
Por, menjëherë erdhi reagimi i Grupit të Këshilltarëve të PDK për këtë çështje. Duke thënë se Lutfi Haziri, kryetari i komunës, që nga fillimi i qeverisjes së tij me komunën e Gjilanit, flet ndryshe dhe vepron e sillet krejt ndryshe.
(shih shkrimin: PDK: Hipokrizia e Lutfi Hazirit ndaj pronës komunale dhe AKP-së).
Dhe selami i Lutës me këtë rast, është kuptuar si veprim injorues ndaj reagimit të PDK-së që kishte bërë kundër deklarimeve të tija të thëna në konferencë.
Përndryshe, në LDK-në e Gjilanit, thonë se po qeverisin komod me komunë, në mungesë të një opozite të mirëfilltë. sipas këtij subjekti politikë, Lëvizja Vetëvendosje po tregohet e “matur”, për shkak të zhvillimeve të përgjithshme në vend, ndërsa PDK-ja, siç thonë, ka mbetur në cicërimat e dy zogjve, (Në LDK, pranojnë se këtë batutë po e huazojnë nga kreu i AAK-së në Gjilan), që po se bënë ata, atë cicërim, nuk ka kush qet zë në PDK.
E, kur jemi te simbolika, Lutfi Haziri që njëherësh është edhe kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, është vlerësuar për këtë edhe nga vet njerëzit e PDK-së, të cilët thonë se si politikan, Luta i përdor mirë simbolikat e fjali të caktuara që godet me to në shenjë dhe për të këtë iu është pranuar se është politikan i shkëlqyeshëm i simbolikave në politikë, por se në anën tjetër kritikohet si pushtetar që nuk po qeveris mirë.
Vet, Sahit Abazi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK, kohë më parë, nuk kishte hezituar ta vlerësojë lartë dhe për më tepër t’ia ketë lakmi, Lutfi Hazirit për aftësitë e tija që i ka në krijimin e simbolikave në politikë dhe si shembull kishte marrë, ngritja e dorës në ballë, ngritja e katër gishtave, simbolikë me prioritetet e proklamuara nga ai, pastaj përdorimi i shprehjeve të veçanta, si ushtarët e atij, apo këtij personaliteti, shprehja “ditët e bardha” e shprehje të tjera të veçanta, e që e bëjnë politikan të kalibrit nacional.
(shih shkrimin: ‘Haziri politkan i shkëlqyeshëm i simbolikave, dështues i politikave lokale”)
Sidoqoftë, presim tani të shohim se si do ta marrin këtë përshëndetje të Lutes, në PDK, dhe si do ti përgjigjen asaj. /2L ONLINE/