Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) edhe në Gjilan ndodhet në procesin e brendshëm zgjedhor, ndërsa përgjatë këtij procesi nuk kanë munguar përpjekjet e figurave të ndryshme të këtij subjekti politik (me pretendime të ngjitjes edhe më, në karrierën e tyre politike) për të dominuar me mbështetësit e tyre nëpër këto kuvende.
Të tillët duan fuqinë nëpër kuvende për të pasur pozitën e fortë në parti që mund t’u përkthehet pastaj edhe me fuqi partiake, kandidime, qoftë në zgjedhjet lokale, duke përfshirë edhe garën për të parin e komunës, e qoftë edhe në ato qendrore, garën për deputetë apo pasur pozita tjera në qendër.
Ndërkohë, aktualisht i pari i LDK-së së Gjilanit dhe i komunës, Lutfi Haziri – Luta, mohon t’i ketë parë këto grupe apo “vija të ndikimit”, përgjatë këtij procesi zgjedhor, duke thënë se LDK është unike, mbështetjen e tij nuk e kanë individë të përvetshëm, edhe nëse dikush mund të thirret në emrin e tij, dhe se kushdo që i bënë “vijat” e tija të ndikimit në parti, ato, sipas Hazirit, mund t’i bëjnë vetëm nëpër shtëpitë e tyre, por jo në strukturat e partisë, jo në LDK.
Ai tha se aty, ai është i pari dhe se nuk do të lejojë vija ndarëse a grupime, përndryshe sqaroi se në LDK-në e Gjilanit askush nuk e ka “bekimin” e tij, nëse bëhet fjalë për dikë që ka mund të thirret para anëtarësisë, se kanë mbështetjen, përkatësisht “bekimin” e Lutfi Hazirit.
Përndryshe, nuk është diçka e re dhe e pathënë ku flasim për pretendimet e Lutës për ta marr udhëheqjen e partisë në nivelin qendror, gjë kjo që mund t’i hapte rrugë edhe kah pozita e kryeministrit, nëse LDK, me ndonjë matematikë, do të vinte në qeverisje, por ajo që do të duhej të vihet në pah këtu, është se: nëse ndodh kjo, do të nënkuptohej “të lëshuarit rend” në Gjilan.
Por, Luta vazhdon të insistojë se ky nuk është preokupim i tij sepse nuk merret me atë se ka apo nuk ka preferenca të tija për ndonjë kandidat të mundshëm që do të mund ta trashëgonte politikisht në Gjilan, e pse jo edhe në komunë, nëse sërish do të qeverisej nga LDK.
Ndonëse ai mohon preferencat e tija për ndonjë figurë politike që do të mund ta trashëgonte në Gjilan, së paku në garën për të parin e komunës, nëse ai do të “ngjitej politikisht përpjetë”, ai përmend familjen kur përmendet trashëgimia politike, duke thënë se trashëgimtar ka vetëm djalin Lumin dhe vajzat e tija barabarësish, ndërsa në politikë, LDK-ja e Gjilanit është unike, e nuk ka mbështetjen e tij asnjë emër i përvetshëm apo grupacion.
Luta tha se ai është akoma kryetar i LDK-së dhe kryetar edhe i Komunës dhe preokupimi i tij i tanishëm është vazhdimi i projekteve zhvillimore për Gjilanin, të cilin tha se nuk do ta lë, por se mandati i tij do të përfundojë duke punuar në realizimin dhe përfundimin e projekteve të tilla që janë të shumta.