Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në Gjilan, të enjten ka mbajtur tubimin e saj qendror, në garën e balotazhit ku para përkrahësve të tubuar në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”, kandidati i këtij subjekti për Kryetar komune, Lutfi Haziri ka thënë se qytetarët me 22 tetor votuan drejt, votuan me mendje dhe me zemër të bardhë, e jo me mendje e me zemër të sëmurë. Ai kështu ka ftuar të votojnë edhe me 19 nëntor, pasi e vetmja zgjidhje për qytetarët e kësaj komune është LDK-ja.
Haziri ka thënë se LDK-ja sot është Gjilani vet. “Ne jemi një herë më të mëdhenj se partia e dytë, dy herë më të mëdhenj se partia e tretë dhe mbi dhjetë herë se partitë tjera, por ne sillemi karshi tyre si vëllai i madh, që kur edhe këta të vegjlit lazdrohen mundohemi me i qetësue, me i edukue, me i mësue bile disa edhe me i socializue dhe me i integrua në programin tonë”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se me LDK asnjë qytetarë në Gjilan nuk humb, Ai iu ka drejtuar të gjithë atyre që me 22 tetor i kanë besue dhe kanë votuar për një kandidat tjerë, të mos mërziten sepse ata asgjë nuk kanë humbur, por kandidatët e tyre kanë humb, kështu që qytetarët duhet të dalin me 19 nëntor, e t’ia kthejnë besimin LDK-së, e cila do ta ruaj atë besim të tyre të dhënë, si vlerë.
Ai ka thënë se qytetarët duhet të kthehen kah LDK-ja ta të bëhen pjesë e progresit, e fitores së madhe.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se i siguron qytetarët që të gjitha rrugët e fshatrave, infrastruktura nëntokësore, të gjitha projektet e shpalosura nëpër lagje, nëpër fshatra, kudo nëpër vendbanime të ndryshme të komunës së Gjilanit, do t’i realizojnë sipas orarit, sipas dinamikës së paraparë dhe përkushtimit të përbashkët.
Haziri ka përmendur edhe autostradën. “Projekti i shekullit për Gjilanin dhe Anamoravën është Autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, të cilën disa u munduan ta ndalin, por me mbështetjen tuaj, arritëm ta fusim në buxhetin e shtetit. Autostrada po nis dhe po fillon Lidhja e madhe me korridoret e mëdha ndërkombëtare. Po fillon lidhja me krejt dynjanë”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, në katër vitet e ardhshme të qeverisjes së LDK’së, do t’i përfundojnë edhe hyrje-daljet e qytetit, shtratin e lumit “Mirusha” dhe do të fillojmë ndërtimin e shtratit të lumit “Stanishorka”.
Haziri ka përmendur edhe investimet tjera që do të bëhen duke ndërtuar rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, çerdhe, stadiume, shtëpi kulture, terrene sportive të hapura dhe të mbyllura, do të stimulojnë studentët me bursa. Në bujqësi do ta dyfishojnë buxhetin për subvencione, do të ketë partneritetet si komunë me kompanitë vendore, në veçanti, fokusi i qeverisjes së LDK’së do të jetë në vazhdimin e krijimit të kushteve më të mira për të bërit biznes. Po ashtu të gjitha klubet sportive do t’i subvencionojnë dhe plotë projekte tjera.
Haziri ka shtuar se në qeverisjen e LDK’së vend meritor do të kenë gratë dhe të rinjtë, duke iu besuar pozita të rëndësishme udhëheqëse. Ekipi i ri qeverisës do të jetë reprezentativ, do të jenë njerëz me integritet të lartë e profesionistë të vërtetë.
“E rëndësishme është se me qeverisjen me duar të pastërta e me transparencë të plotë, do t’i intensifikojmë partneritetet me miqtë ndërkombëtarë përfshirë qeveritë e agjencionet e SHBA dhe shteteve të Evropës si dhe do ta bëjmë Gjilanin qendër të Mikro-regjionit Evropian përmes bashkëpunimit ndërkufitar”, ka thënë Haziri.
Në mbështetje të Lutfi Hazirit, ka dal edhe Isa Mustafa, lideri i LDK-së i cili para të pranishmëve ka thënë se vet kjo prezencë kaq e madhe në këtë tubim flet për përkrahjen e madhe që e ka Lutfi Haziri – Luta.
“Luta, kryetar, po se po, por me një votë të madhe, të fuqishme, jo vetëm të LDK-së, por të të gjithë qytetarëve të Gjilanit. Fitorja e Lutës nuk është vetëm fitore e tij individualë, vota për të nuk është votë për individ, por është votë për një koncept, ide, për një program, i cili është treguar më i miri dhe më i dobishmi për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë tutje Mustafa.
Ai ka thënë se vota për Lutfi Hazirin është votë për një program të mirë. për një punë transparente, për projekte të mëdha, për një vizion të madh për Gjilanit, dhe këtë vizion ne duhet ta përkrahim. “Neve na nevojiten njerëz që bëjnë punë të mëdha, njerëz që kanë projekte të mëdha, që kanë vizion të caktuar dhe vizion të madh dhe këtë gjithnjë e gjejmë te Lutfi Haziri”, tha Mustafa.
Sipas tij Luta është meritor edhe për çështjen e autostradës. “Gjilanit i nevojiten projekte të mëdha dhe këto projekte të mëdha janë projekte të Lutës. Projekti i autostradës që e lidh Kosovën me Preshevën dhe Bujanocin përmes Anamoravës dhe Gjilanit, është projekt për të cilën ka insistuar dhe ka punuar pareshtur Lutfi Haziri dhe ne e kemi përkrahur”, ka thënë Mustafa.
Ai e ka lavdëruar Hazirin edhe për angazhimet tjera në projektet të shumta për Gjilanin duke thënë se meritor është Luta dhe se ai do t’i realizojë edhe përgjatë këtij mandati të ri projekte të shumta në dobi të qytetarëve të Gjilanit.
Përndryshe, për argëtimin e të pranishmëve është përkujdesur edhe këngëtarja Adelina Ismajli, e tubimi është përmbyll me ftesën që të dielën të dilet masivisht dhe të votohet Lutfi Haziri.
sponsorizuar nga LDK