Pas gati tre vite të proceseve gjyqësore dhe procedurave tjera, sot është bërë nënshkrimi i kontratës për rregullimin e shtratit të lumit në Tërnoc me një gjatësi mbi 1.200 metra.
“Dokumentacionet që po i shihni janë grumbulluar për gati tre vite të procedurave gjyqësore. Kemi pas probleme sa i përket procedurës dhe ankime të disa kompanive”, u shpreh kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, me rastin e nënshkrimit të kontratës me përfaqësuesin e kompanisë që do të kryejë punimet në Tërnoc.
Duk folur për procesin e deritanishëm, Arifi ka thënë se ka marrë aktvendimin nga Komisioni për mbrojtjen e ligjshmërisë se procedura e Komisionit për tenderime pranë administratës komunale ka qenë në përputhje të ligjit.
Ai matej sqaroi se punimet do të zhvillohet në 1.200 metra të lumit, duke filluar nga pjesa tashmë e përfunduar, afër stadiumit të fshatit deri në hyrje të Tërnoci nga Breznica, respektivisht në lagjen e Strukarëve, raporton Titulli.com.
Ky projekt do të kushtojë rreth 75 milion dinarë, derisa 35 milion dinarë tashmë janë siguruar nga Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Arifit, punimet duhet të kryhen në afat prej 90 ditëve të punës, mirëpo ato do të diktohen edhe nga kushtet atmosferike.
“Shpresojmë se nëse kushtet atmosferike na lejojnë punimet do të përfundohen me kohë, në mënyrë që vitin e ardhshëm të realizohen punimet përfundimtare”, thotë Arifi.
I të njëjtit mendim është edhe Dejan Rangellov, drejtor i kompanisë “Slloga” nga Kragujevci, i kontraktuar për të shtruar shtratin e lumit në Tërnoc.
“Punimet do t’i fillojmë sa më shpejtë të jetë e mundur. Sa i përket përfundimit të tyre do të mundohemi t’i respektojmë afatet, mirëpo se kur do të përfundojnë kjo varet edhe nga moti”, tha Rangellov.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=19415