Luginasit sot me të drejtë njihen si pjesa më e shëndoshë, jo vetëm se e Komunës së Gjilanit por edhe më gjerë.
Shkruan: Avdyl Aliu
Në komunën e Gjilanit u dëshmua kjo nëpër institucione komunale, politike, forume të ndryshme, shoqëri civile e ku jo tjetër, duke qenë në këtë mënyre pjesë e vendimmarrjes dhe e politikebërjes njëjtë sikurse çdo qytetar tjetër i komunës.
Janë kështu luginasit jo pse janë luginas dhe jo për hatër por sepse janë dëshmuar se janë të zotët dhe profesional. As në komunë e as në LDK nuk ka asnjë resor ku nuk përfaqësohen luginasit dhe që nuk janë dëshmuar për etikë dhe profesionalizëm. Unë personalisht ditën e nisi me luginas, duke e pirë kafen e mëngjesit dhe ata i kam pjesë të punës sime si në Kuvend Komunal edhe në aktivitet politik.
LDK dhe e Lutfi Hazirit me punën e tyre e kanë krijuar një lidhje shumë të fortë dhe të qëndrueshme me luginasit. Nuk e harrojnë luginasit Rezolutën e Lutës për luginasit në Kuvendin e Kosovës, nderimin që i ka bërë jo vetëm se luginasve me vendosjen e bustit të luftëtarit të madh Sylë Zarbicës, përfshirjen e luginasve në programin e ndërtimit të shtëpive për raste sociale, hapjen e zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc edhe shumë e shumë punë të tjera të mira. Edhe një herë, jo pse janë luginas por sikurse edhe për të gjithë qytetarët tjerë të komunës.
Këtyre ditëve, shihen tendenca për të dëmtuar këtë lidhje të Lutës dhe LDK-së me luginasit, mirëpo lidhja është shumë e fortë dhe kjo paraqet tendencë koti. Më ndryshe kjo i bjen me hy “ndërmjet mishit e thonit” .
Kemi respekt për demokracinë, edhe këto tendenca i shohim nga ai kënd. Sikur mos të kishin ekzistuar fare ide dhe programe të tjera dhe të kundërta atëherë qytetari i komunës sonë nuk kish pas qysh me e zgjedhë më të mirin.
Duke i parë këto tendenca në këto rrethana nuk ka se si mos të pohojmë se opinioni që po e japin për qeverisjen në Gjilan dhe për Lutën, në fakt në këtë mënyrë po e vlerësojnë vetveten.
LDK dhe Luta, këtyre që po luajnë “rrotash” dhe që po e përziejnë kapuqin e haxhisë me shishen e alkoolit iu ka pas dhënë rastin duke i mbajt në prehër dhe duke i vendosur ne fronin më të lartë, mirëpo e kanë vetvërejtur se nuk janë të denjë për LDK-në dhe programin e sajë.
Nëpërmjet emrit të VATRA -s (njëherë e patën shitur te një parti tjetër) po mundohen ta bëjnë një filozofi politike të re ( njerëzit e njëjtë) që për bazë ( në themel) kanë vendosë me përdorë dezinformatën, fyerjen, gënjeshtrën e çka jo tjetër të dëmshme, gjithnjë duke u munduar me paraqitë njëfarë viktimizimi të luginasve.
Bërja e kësaj filozofie politike është e ngjashme me bërjen e monedhave false, e sa për monedhat false thuhet se ai që e pranon monedhën false veç çka ka me u varfërua edhe më shumë.
/Autori është anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e LDK-së/