Këshilltari politik i kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, ka bërë me dije se nuk do të diskutohet asnjë temë e re në takimin e radhës Thaçi – Daçiq, i cili do të mbahet më 5 dhjetor.
“Në këtë takim do të ketë një vlerësim të procesit të implementimit të marrëveshjes së 19 prillit, me fokus të veçantë për fushën e policisë dhe drejtësisë. Natyrisht se do të ketë edhe një vlerësim për rezultatet e para të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çollaku në një intervistë për “Epokën e re”.
Ndërkaq, duke iu referuar kërkesave të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës që çështja e tyre të diskutohet në Bruksel, Çollaku ka deklaruar se procesi i dialogut ka të bëjë vetëm me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pavarësisht kësaj, Çollaku ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës mbetet preokupim i Qeverisë dhe kryeministrit Thaçi. “Edhe vetë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës nga takimet që kanë pasur me kryeministrin e dinë se Thaçi në disa takime me kryeministrin Daçiq dhe zëvendëskryeministrin Vuçiq ka diskutuar dhe ka kërkuar që qytetarët e Luginës t’i gëzojnë të drejtat e tyre legjitime”, ka deklaruar ai.
Çollaku në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale edhe në veri të Kosovës paraqet thelbin esencial të zbatimit të kësaj marrëveshje. “Për mendimin tim, ky është thelbi historik i krejt marrëveshjes së Brukselit. Këtë duhet ta kenë të gjithë qytetarët e Kosovës. Çdo gjë tjetër është dytësore dhe jorelevante. Shmangia e ndarjes së Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve në veri dhe futja nën ombrellën e shtetit të katër komunave veriore është suksesi më i madh historik të cilin e kemi arritur ndonjëherë”, ka thënë Çollaku.