Përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk kanë marrë pjesë në takimin e sotëm me Ministrin serb të Arsimit, pasi ditë më parë kanë vendosur që të ndërpresin bisedimet e filluara me qeveritarët serbë.
Kryetari i Kuvendit në Bujanoc, Jonuz Musliu e ka fajësuar qeverinë serbe për mos interesim konstant për zgjidhjen problemeve të shqiptarëve, përderisa publikisht ka marrë zotime se njeh platformën shqiptare dhe ka gatishmëri për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Musliu, siç transmeton RTK, përfshirjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në Luginë e sheh të domosdoshme. Fillimisht ai mendon se si njëra ashtu edhe qeveria tjetër duhet të përfshijnë shqiptarët e Luginës së Preshevës në buxhetet e tyre.
Përfaqësuesit politik dhe institucional të Luginës së Preshevës kanë marrë vendim të ndërpresin bisedimet e filluara me qeverinë serbe, pasi kjo e fundit të gjitha vendimet e saja në raport me shqiptarët i ka marrë në bazë të statistikave të regjistrimit të fundit të popullatës. Sipas këtyre statistikave në Preshevë, jetojnë rreth një mijë shqiptarë, kryesisht komisionarët e regjistrimit dhe familjarët e tyre, sa edhe në Bujanoc e Medvegjë, përderisa 99% e shqiptarëve që e kanë bojkotuar regjistrimin, për shtetin serb janë qytetar të padukshëm.