Liderët politik shqiptarë të Luginës kanë ndërprerë bisedimet me qeverinë në Beograd duke u ankuar për mosgatishmëri të palës serbe për zgjidhjen e shumë problemeve që ekzitojnë në këtë rajon.
Kryetari i kuvendit komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu theksoi se është gati të ulet në tryezë me qeveritarët serbë por me prezencën e ndërkombëtarëve dhe duke marrë seriozisht kërkesat e shqiptarëve, raporton Titulli.
Musliu thotë se prej vitit 2001 qeveria e Serbisë nuk ka parë gatishmëri për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në këtë pjesë.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare na fton, garanton dhe cakton një person si ndërmjetës mes palës shqiptare dhe serbe në udhëheqjen e bisedimeve dhe të jetë si organizatore e këtyre bisedimeve, të pranojnë kërkesat e shqiptarëve, të hymë me platformën e nxjerrë nga tre kuvendet shqiptare në Luginë dhe me kërkesat të cilat janë bërë të qarta qeverisë së Serbisë, si çështja politike, ekonomike, sociale, shëndetësore e kulturore, atëherë do të uleshim për të dialoguar”, tha Musliu.
Ditë më parë edhe deputeti shqiptarë në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi ka kërkuar që në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të trajtohet edhe çështja e Luginës së Preshevës.
Ish shefi politik i UÇPMB-së Jonuz Musliu mendon se është momenti për të ngritur shqetësimin e shqiptarëve të Luginës në instancat më larta ndërkombëtare.
“Është momenti dhe koha e duhur për shqiptarët e Luginës që të ngrinin zërin në instanca më të larta ndërkombëtare duke pasur parasysh se tani Serbia tenton që të marrë datën për integrimin e saj në familjen e madhe evropiane, dhe ajo duhet me doemos që të i jap të drejtat pakicave që jetojnë në territorin e saj sepse janë të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare”, deklaroi Musliu.
Në tetor të këtij viti përfaqësuesit politik shqiptar të Luginës patën zhvilluar takimin me kreministrin e Serbisë, Ivica Daçiq dhe pas kësaj filluan edhe me formimin egrupeve pununese për sektor të ndryshëm institucional.