Në qershorin e vitit 2013, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutë për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në kuadër të së cilës parashihej hapja e një zyre dhe krijimi i një Fondi zhvillimor, shkruan Titulli.com.
Kryetarja e kuvendit komunal në Preshevë, Ardita Sinani thotë se ishte një gëzim i paparë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ngase për herë të parë në historinë e këtij rajoni, debatohej në organin më të lartë të shtetit të Kosovës, në Parlamentin republikan, çështja e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
“Në këtë seancë plenare u nxor edhe një Rezolutë, në kuadër të së cilës parashihej hapja e një zyre dhe krijimi i një Fondi zhvillimor. Në Gjilan u hap zyra e për Luginën e Preshevës, e cila është duke funksionuar në mënyrë institucionale”, është shprehur Sinani.
Sipas saj në Gjilan u hap zyra e për Luginën e Preshevës, e cila është duke funksionuar në mënyrë institucionale dhe se kanë bashkëpunim të sinqertë me kryetaren e zyrës, Gentiana Shabani.
Sinan theksoi se sa i përket Fondit zhvillimor për Luginën e Preshevës, ka ngecur puna, por nuk do të thotë se janë shterur mundësitë për jetësimin e tij, vetëm kërkohet të gjenden rrugë e mënyra për realizimin konkretisht.
“Besoj se pas ndryshimeve në pushtetin lokal, të cilat erdhën me zgjedhjet e prillit të këtij viti, sigurisht që kërkesat tona do të jenë më praktike e më pragmatike dhe do të kërkojmë, që ky Fond zhvillimor të mos mbetet veç në letër, por të riaktivizohet e të realizohet në praktikë”, ka deklaruar Ardita Sinani.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në Qershor të vitit 2013 për shqiptarët e Luginës së Preshevës, atëhër të udhëhequr nga kryetari Jakup Krasniqi.