Unë nuk arrijë ta kuptoj çfarë i duhet pushteti një partie politike në një vend ku çdo i dyti i ri mendon të ikë jashtë vendit?!
Shkruan: Ardian Azemi
Sinqerisht, është për të ardhur keq, në të njëjtën kohë dëshpërohemi kur shohim çdo ditë luftën për pushtet në një shtet ku asgjë interesante nuk iu duket qytetarëve, përkundrazi, vetëm dëshpërim, dhe humbje e shpresës.
Në vend që të unifikohet spektri politikë, të kapërcej inatet dhe interesat e ngushta partiake, këta betonohen në qëndrime dhe aspak nuk iu bënë për qytetarin, për të riun e të rejën që mendon dhe e ka bindë vetën se ky vend asnjëherë nuk do të ofroj perspektivë për ta.
Nuk e di nëse ka vend për ta akuzua Serbinë për dëmet që po ia sjellë Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Ne vet jemi ata që planin e Serbisë kundër Kosovës, çdo ditë po e realizojmë, madje po i forcojmë dhe po i bëjmë më bindëse përpjekjet e Serbisë për ta pengua Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të vendit tonë ne mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar.
Vendi ynë tani e dhjetë vjet shtet, ka dështua totalisht në diplomaci. Për këtë që them, më besoni ose jo, pak rëndësi ka, ju mund ti shihni imazhet e njerëzve tanë që na përfaqësojnë dhe na kanë përfaqësua në botë, mënyrën sesi sillen dhe sa të nënshtruar janë karshi thuajse çdo diplomati të huaj. E kemi parë përfaqësimin serb në botë, sa depërtues dhe driblues që janë. Kosova është viktimë, është vendi ku Serbia ka bërë gjenocid.
Duke i pas parasysh të gjitha këto, madje e gjithë bota është e njohur me të bëmat e Serbisë në vendin tonë, prap mundohen dhe gjejnë mbështetje tek faktori ndërkombëtar. Imagjinoni çfarë do të bënte Serbia sikur të ishte në pozitën e Kosovës?!
Vizita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe pritja që i është bërë atij, janë treguesi më i qartë se do të jesh i respektuar nga të tjerët nëse respekton veten tuaj. Nga kjo vizitë, deshëm ta pranojmë ose jo, FSK po shndërrohet në Ushtri të Kosovës.
Nuk mund të krijosh partneritet serioz përderisa je i nënshtruar, përderisa nuk e di çka kërkon dhe pse. S’ka asnjë dyshim se, Kosova e ka pas mundësinë të jetë një vend i zhvilluar e respektuar, me një politikë unike nga brenda dhe një përfaqësim dinjitoz jashtë. Nuk e ka shfrytëzua, edhe në mungesë vullneti për ta bërë një gjë të tillë, edhe nga frika se sa më stabil dhe i pasur të jetë një vend dhe një popull, aq më i vështirë bëhet manipulimi me ta.
Për fund, Kosova ka nevojë për një rezolutë me pajtim të të gjitha forcave parlamentare, rezolutë e cila ia pamundëson jo vetëm Presidentit, por gjithsecilit të bisedoj e shtroi në tavolinë çështjen e kufijve, territorit apo shkëmbimit të mundshëm.
Nuk mjafton vetëm të propozohen rezoluta me idenë që ata mos të kalojnë, ose me qëllim të matjes së votës duke pretenduar për një mundësi të rrëzimit të qeverisë.
Një gjë duhet ta kemi parasysh: aspak rëndësi nuk ka nëse rrëzohet ose jo qeveria, sepse ky vend e ky popull nuk duhet të lidhet me emra e lider.
E rëndësishme është se kushdo që vjen në pushtet, nëse vazhdojmë të kemi inate dhe qëllime për të përfitua sa më shpejtë e sa më shumë nga të qenit në pozitë, nuk ka me shënua asnjë rezultat të prekshëm. Madje, veç çka ka me e thellua hendekun në të cilin ndodhet Kuvendi i Kosovës, politika e jashtme dhe partitë politike.