Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rradhës në të cilën ishin caktuar dy pika të rendit të ditës.
1.Siguria, dukuritë negative dhe trafikimi i qenieve njerëzore
2.Të ndryshme
Në këtë mbledhje është diskutuar për fillimin e fushatës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, e cila synon ngritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen.
Kryetari i komunës s Kamenicës, njëherit edhe kryesuesi i kësaj mbledhje, Qëndron Kastrati tha se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore është një nga prioritetet kryesore anë e mbanë botës.
“Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është një nga prioritetet kryesore anembanë botës. Takimet e tilla, janë të rëndësishme sepse shërbejnë për të rritur ndërgjegjësimin, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira midis akterëve të ndryshëm të përfshirë”, tha ai.
Kastrati falënderoi të gjithë të pranishmit, të cilët sipas tij asnjëherë nuk kanë hezituar të shkëmbejnë informatat dhe njohuritë e tyre për të rritur ndërgjegjësimin rreth kësaj dukurie.
Ndërkaq, përgjegjësi nga sektori për Planifikim dhe Zhvillim-Departamenti i Hetimeve në nivel shteti Bajram Nuhiu, e cilësoi luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore si përgjegjësi kolektive.
“Të gjithë duhet të japim kontribut dhe përkushtimi është i nevojshëm për të parë rezultate në luftimin e këtij fenomeni”, u shpreh ai.
E koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut Nazmije Demolli-Kastrati, theksoi se fushata kundër trafikimit të qenieve njerëzore do të zgjasë një muaj.
“Synimi ynë është që ta parandalojmë këtë fenomen e jo ta shërojmë atë. Veç tjerash, përgjatë këtyre ditëve kemi mbajtur edhe ligjërata nëpër shkollat fillore dhe të mesme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njësinë në Kamenicë”, deklaroi ajo.
Të pranishëm në këtë panel diskutimi ishin edhe Luljeta Ibishi-Ferizi Zyrtare e Lartë për të Drejtat e Njeriut-MAPL, Policia e Kosovës, anëtarë të KKSB-së si dhe akterë të tjerë të komunës.