Boksieri Luan Krasniqi ka kohë që ka “varur dorezat në gozhdë”. Por kjo assesi nuk do të thotë se me këtë i ka thënë lamtumirë jetës publike. Ai është i pranishëm vazhdimisht në aktivitete të ndryshme, kryesisht me karakter humanitar dhe i ftuar i rregullt në emisione të televizioneve gjermane.
Por, në një fushë Luan Krasniqi nuk e kishte provuar veten deri më tash: në film. Edhe këtë merak ai tashmë e ka hequr: Luani është i pranishëm me një rol në episodin e 136 të serialit shumë të shikuar televiziv kriminalistik të ZDF-së, “SOKO Stuttgart”. Premiera e episodit që mban titullin “Benzina në gjak” do të jepet në fillim të vitit të ardhshëm, shkruan albinfo.ch.
“Natën para xhirimeve kam fjetur shumë keq, isha jashtëzakonisht i emocionuar”, thotë Krasniqi për bild.de. Por, nuk ka pasur arsye për këtë, komenton gazeta, pasi që, sipas saj Luani është treguar njësoj profesionist para kamerës po aq sa edhe aktorët me përvojë, kolegë të tij në këtë seria, Christian Kahrmann, Peter Ketnath ose Yve Burbach.
http://www.albinfo.ch/sq/kultura/luan-krasniqi-provon-veten-n-film