Luan Krasniqi ngjitet edhe një herë në ring. Kjo do të ndodhë nesër (e shtunë) më 16 nëntor në “MHP Arena” ë Ludwigsburgut. Me këtë rast ish kampioni evropian do t`i kryqëzojë dorezat me ish kick-boksierin 52 vjeçar Uwe Hück. Kësaj here dy boksierët seniorë nuk do të garojnë për medalje ose tituj por për të grumbulluar ndihma për skamnorët.
Pasi që Krasniqi angazhohet prej kohësh për strehimoret e fëmijëve “SOS Kinderdorf” , prej tij është “infektuar” edhe Hück, i cili punon në administratën e prodhuesit të automobilave “Porsche”. Krasniqi deri më tash ka vrapuar në një numër garash të maratonës, gjithkund nëpër Gjermani, duke grumbulluar para për “shatrat e fëmijëve SOS”, kryesisht në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa Hück ka themeluar fondacionin “Lernstift Hück” për të mbështetur analfabetët. Nisur nga këto angazhime humane të rivalëve, cilido që të jetë rezultati, fituesi dihet: ato janë dy projektet e përmendura që mbështeten nga dy boksierët.
Për nesër, nga ora 19, dy boksierët premtojnë se ata nuk do të ofrojnë spektakël por boks të vërtetë, me mbi tetë raunde, nën rregullat që vlejnë në Federatën Gjermane të Boksit.
Nën moton “Blaue Flecke für sociale Zwecke” (njollat e kaltra për qëllime sociale), një program i pasur artistik d t`i paraprijë ballafaqimit në ring.