New York—29 prill 2017—Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane fuqishëm dënon dhunimin e Parlamentit të Maqedonisë nga rreth dyqindë përkrahës të VMRO-DPMNE-së pasi që Social Demokratët (LSDM) lidhën koalicion me partite shqiptare dhe zgjodhën Talat Xhaferin në postin e Kryetarit të Parlamentit—duke e bërë kështu atë shqiptarin e parë të zgjedhur në këtë pozitë që kur vendi kishte shpallë pavarësinë nga Jugosllavia më 1991.
Protestuesit që përfaqësonin ish-Kryeministrin Nikola Gruevski dhe partinë e tij VMRO hynë dhunshëm në Parlament më 27 prill, duke rrahur keq liderin social-demokrat Zoran Zaev (mediat ndërkombëtare kanë shfaqur foto të tij të përgjakur në fytyrë dhe kokë) si dhe liderin politik shqiptar Dr. Ziadin Sela, i cili ende është nën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.
Veprimet e VMRO-së demonstrojnë se sa e paqëndrueshme dhe etnikisht e ndarë është Maqedonia pasi që regjimi i Nikola Gruevskit dështoi të krijoi një koalicion shumice pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016 dhe mandej kundërshtoi përpjekjet e Zoran Zaevit për të krijuar koalicionin me partite shqiptare. Pamjet e ngjarjeve të 27 prillit 2017 na rikujtojnë urrejten etnike që sllavo-maqedonasit, nën drejtimin e Gruevskit, kanë ndaj shqiptarëve që kur VMRO-DMPNE kishte ardhë në pushtet gati dy dekada më parë.
Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar këtë dhunë dhe i ka bërë thirrje qeverisë së Maqedonisë që t’i kthehet procesit demokratik. Në deklaratat e përbashkëta nga Brukseli, shefja e politikës së jashtme të BE-së Frederica Mogherini si dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn kanë thenë se “Bashkimi Evropian është i bindur që dialogu politik ndërmjet institucioneve është mënyra e vetme përpara.” Kurse, Ambasada Amerikane në Shkup ka theksuar se do të punojë më Kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferi, për “të përkrahur demokracinë dhe cuar përpara interesat e Maqedonisë.”
Përkundër këtyre deklaratave, Washingtoni dhe Brukseli duhet që sa më shpejt të kalojnë përtej retorikës së deshtuar të ruajtjes së stabilitetit pa ndonjë strategji reale për ta bërë atë realitet.
Koha ka ardhur për ta bërë demokracinë dhe barazinë ndëretnike një realitet në Maqedoni. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të punojë në këtë drejtim në bashkëpunim të ngushtë më liderët kyc të politikës së jashtme në Kongresin e SHBA-ve nga të dyja taborret kryesore politike, të cilët vazhdimisht kanë demonstruar përkrahjen e tyre për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve, duke përfshirë Kongresistin Ed Royce (R-CA), Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, Kongresistin Dana Rohrabacher (R-CA), Kryetar i Nënkomitetit për Evrope, Eurazi, dhe Kërcnimet e Reja, Kongresistin Jarrold Nadler (D-NY), Senatorin John McCain (R-AZ), Kryetar i Komitetit për Forcat e Armatosura, si dhe Senatorin Charles Schumer (D-NY), Lider Minoritar i Senatit të SHBA-ve.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka bërë presion në vazhdimësi për një degjim kongresional për korrupsionin politik dhe shkatërrimin ekonomik në Ballkan, vecanerisht për dështimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit për të sjellë barazi etnike në Maqedoni. Qeveria e SHBA-ve duhet që përsëri të marrë rol udhëheqës në këtë krizë në zhvillim e sipër para se njerzit iracional të marrin pushtetin me forcë.