Lëvizja e Progresit Demokratik në Bujanoc lirimin e ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, nga Gjykata serbe për Krime Lufte, e vlerëson fitore të madhe të drejtësisë shqiptare, përballë dënimeve të rënda dhe joligjore.
Sipas LPDE-së shtatëmbëdhjetë të rinj shqiptarë, nga Lugina e Preshevës, ish pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, para pesë vjetësh, pikërisht më 26 dhjetor të vitit 2008, u arrestuan në mënyrë spektakulare nga xhandarmëria serbe, duke u dënuar me 116 vjet burgim, me urdhër të Prokurorisë serbe për krime lufte kundër njerëzimit.
LPD fitoren e drejtësisë shqiptare para proceseve të montuara politike, e konsideron edhe një fitore të luftës së drejtë çlirimtare të UÇPMB-së, e cila përmes Marrëveshjes Paqësore të Konçulit, internacionalizoi çështjen shqiptare të Luginë së Preshevës
LPD i përshëndet lirimin e të burgosurve shqiptarë, i përgëzon për qëndrimin e tyre burrëror para shantazheve, presioneve dhe dhunës serbe nëpër burgje, gjithashtu uron familjarët e tyre për lirimin e të dashurve të tyre dhe falënderon gjithë ata që kontribuan në tejkalimin e këtyre proceseve të montuara politike, thuhet në kumtesën e LPD-së, të nënshkruar nga lideri i saj Jonuz Musliu, transmeton Titulli.