Me rastin e bastisjeve të kryera nga ana e pjesëtarëve të policisë speciale, në mëngjesin e 22 korrikut, në shtëpinë e kryetarit të Kuvendit komunal të Bujanocit, dhe njëherit kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, si dhe në dy shtëpi tjera në fshatin Konçul, me urdhër të prokurorisë speciale për krim të organizuar nga Beogradi, ka reaguar Lëvizja e Progresit Demokratik (LPD).
Në këtë reagim të këtij subjekti shqiptar me seli në Bujanoc, ku u arrestua djali i kryetarit të KK të Bujanocit dhe njiherit kryetar i KKSH, Jonuz Musliut, Flamur Musliu dhe dy persona tjerë nga fshati Konçul, Kryesia e LPD-së dënon këtë akt i cili sipas tyre ka prapavi politike, me qëllim të mbjelljes së frikës dhe pasigurisë në popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës.
“Gjatë këtyre bastisjeve janë bërë demolime të shtëpive edhe pse në disa shtëpi nuk ishin prezent banuesit e tyre, duke mos lënë asnjë procesverbal mbi bastisjen e kryer dhe duke u sjell në mënyrë arrogante”, thuhet në reagimin e këtij subjekti të cilin e përcjellë portali Titulli.com.
Kryesia e Lëvizjes së Progresit Demokratik vlerëson se ky aksion policor e zbeh edhe më shumë besueshmërinë e institucioneve shtetërore tek popullata shqiptare dhe të njëjtin e kualifikon si akt politik me qëllim të destabilizimit të situatës politike dhe të sigurisë dhe zbrazjes së Luginës së Preshevës nga shqiptarët.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=15312