Burime nga klubi francez Nantes kanë bërë të ditur se qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, po shkon drejt rikuperimit te plotë.
Ky është edhe një lajm shumë i mirë për kombëtaren shqiptare dhe trajnerin Gianni de Biasi.
Dëmtimi i kapitenit të kuqezinjve, Lorik Cana, në ndeshjen ndaj Lilës (0-1), nuk është aq i rëndë nga sa ishte menduar fillimisht. Ai pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen 8 tetorit ndaj Serbisë në “Elbasan Arena”.
Edhe pse ende klubi i Nantës dhe vetë kapiteni Cana nuk janë deklaruar zyrtarisht për të qetësuar tifozët kuqezinj, mësohet se ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar se mbrojtësi ka një lëndim në tendinën e Akilit të këmbës së majtë dhe ka nisur me terapinë intensive.
Mbrojtësi 32-vjeçar i kombëtares shqiptare nuk do të aktivizohet në ndeshjen e radhës ndaj Nicës, por do të vazhdojë rikuperimin e për te qenë i gatshëm për ndeshjen ndaj Serbisë.