Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka kërkuar nga të gjithë akterët e sektorit të energjisë më shumë përgjegjësi me qëllim që të shmangen reduktimet e energjisë për qytetarët, siç kishe ndodhur ditëve të fundit dhe të gjendet një zgjidhje afatgjate.
Këto komente, kreu i MZHE-së, i bëri sot pas takimit me drejtuesit e kompanive të sektorit të energjisë, KEK, KOSTT, KESCO dhe Rregullatorin e Energjisë, qëllimi i të cilit ishte diskutimi i problemeve në këtë sektor dhe rritjen e përgjegjësive të operatorëve për furnizim me energji, karshi qytetarëve.
“Situata e furnizimit me energji sot është më e mirë si pasojë e rikthimit në punë të Bllokut B2 të TC Kosova B, por diskutimet tona kishin fokus se çfarë duhet të bëjë secili institucion në rastet e tilla dhe të sigurohemi që të mos kemi reduktime të energjisë për qytetarët”, tha Lluka.
Ai tha se Kosova ka probleme në sigurimin e energjisë nga importi në rastet ku rritet kërkesa për energji, për shkak të problemeve që shkaktohen nga Operatori i Transmisionit të Serbisë, por edhe për shkak të mungesës së planifikimit të duhur nga KESCO dhe kjo ka shkaktuar reduktime në vend, andaj apeloi më shumë përgjegjësi nga kjo e fundit.
Me këtë rast, Ministri theksoi se ajo për çfarë janë pajtuar në këtë takim është edhe faktin që reduktimet duhet të bëhen në mënyrë proporcionale për të gjithë territorin e Kosovës, përfshi edhe veriun.
Sa i përket problemeve me Serbinë, Lluka tha se negociatat janë intensifikuar me qëllim të anëtarësimit të KOSTT-it në ENTSOE dhe shprehu shpresën se ky proces do të përfundojë deri në qershor të këtij viti.
Ndërsa, Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Arsim Janova tha se ky institucion është duke bërë monitorimin e të gjithë operatorëve të sistemit dhe paralajmëroi se ZRRE do të veprojë konform mandatit ligjor.
‘Ligji parasheh masa janë deri në 10 për qind të hyrave të operatorit gjobë. Mirëpo, desha të them që janë masa të ndryshme që do të shqyrtohen edhe në Bord. Ne e kryejmë punën tonë si ZRRE”, tha Janova.