Gjilanasi Liridon Rashiti, po vazhdon ta dëshmojë veten e tij në lëminë e aktrimit në Kanada. Ai së fundi , paraqitet edhe në rolin kryesor të filmit të metrazhit të shkurtër “Alone inside/Seul au monde”. I mbyllur në mendimet e tij, një njeri shkon në kërkim të lirisë së tij të brendshme, duke shpresuar për të bërë paqe me një të kaluar që dhemb. Ky është syzheu i filmit në të cilin Rashiti paraqitet në rolin kryesor, përkrah aktores së mirënjohur kanadeze Charlotte Legault.
Rashiti ka bërë me dije se ideja për këtë film ka ardhur nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë Symon Michaud, i cili i kishte thënë atij se tash e sa vite e ka në kokë një ide për të bërë një film, por pa dialogje dhe se për këtë i duhej një aktor si Liridon Rashiti dhe një aktore bionde dhe ishte pikërisht Charlotte Legault që më së tepërmi i përgjigjej këtij roli.
“E tërë ngjarja në film zhvillohet pa dialogje dhe gjithçka varet prej aktrimit, gjë e cila është e vështirë për aktorët e mua kjo më erdhi si sfidë dhe nuk munda të mos e pranoj”, thotë Liridon Rashiti, i cili tani më ka bërë emër në kinematografinë kanadeze duke luajtur në dhjeta filma, seriale e filma të metrazhit të shkurtër, kurse një nga filmat ku ai luan ishte nominuar edhe në Festivalin e mirënjohur të Cannes.
Përndryshe, kur jemi te filmi “Alone inside/Seul au monde”, ai zgjat 20 minuta, por shkaku i pjesëmarrjes nëpër festivale ai është dashur të shkurtohet në 15 minuta. Tashti, kur filmi ka përfunduar dhe pritet të marrë pjesë në shumë festivale në vitin që po vjen, Liridon Rashiti thekson se shumë do të dëshironte që ky film të prezantohet edhe në festivalet e filmave që mbahen në Kosovë.
Realizator dhe skenarist i filmit është Symon Michaud, producent Liridon Rashiti – Symon Michaud (Trans Globe Films), kurse në të luajnë Liridon Rashiti dhe Charlotte Legault.
I lindur në Gjilan, Liridon Rashiti dhe familja e tij, kanë pasur fatin e shumë familjeve kosovare, të cilat gjatë luftës u dëbuan me dhunë, për t’u larguar në Kanadanë e largët, në qytetin Montreal, pjesë frankofone e këtij vendi. Liridoni, qysh në moshën 15- vjeçare kishte treguar prirjet e tija për aktrim dhe prej atëherë, ai ka luajtur në 15 filma të metrazhit të gjatë e të shkurtër, duke qenë përkrah aktorëve të njohur kanadezë. Ai tash e dy vite luan rolin kryesor në filmin “The mafiozoo” (Mafiozi), film me aktorë të njohur si Symon Michaud. Gjithsesi se pjesëmarrja në Festivalin e Kanës është e arritura e tij më e madhe me filmin “Avec Jeff à moto” (Me Xhefin në motor). Ky aktor i ri, ka shpalosur aftësitë e tija edhe si skenarit e producent me filmin “Refuge” (Streha), në të cilin edhe luan rolin kryesor. Në këtë film tridhjetëminutësh, ku regjisor është Symon Michaud, Rashiti ka trajtuar peripecitë e një familje kosovare, e cila pasi është dëbuar nga vendi i vet përballet me peripeci të ndryshme në vend të huaj.