Ndër ëndrrat e fëmijëve te ne, padyshim se janë ato që një ditë ata të bëhen futbollist me emër. Kosova ka talentë të futbollit andaj edhe ka të tillë që investojnë në këtë drejtim duke ndjekur edhe shkollat e futbollit.
Të tillë që kanë ëndrra që një ditë, pse jo të bëhen edhe futbollistë profesionistë, janë edhe Lion dhe Amar Ajvazi, që të dy të moshës 7 vjeçare. Janë nga Zhegra e Gjilanit ku edhe ushtrojnë futboll nën drejtimin e trajnerëve Zija Haziri dhe Fatgëzim Ajvazi.
Lioni dhe Amari, që mes tyre janë djem të axhës, janë shembullor edhe në shkollë, por edhe në fushën e futbollit tregojnë talentin e tyre . Ata i bashkon çdo gjë ndërsa ajo që i dallon një çik, është çështja e idolit të kësaj loje magjike, pasi derisa Lioni për zemër e ka Cristiano Ronaldo-n, lojtar ndër më të mirët në botë, Amari, idol e ka Xherdan Shaqirin, futbollistin shqiptar me emër në arenën ndërkombëtare, një yll i futbollit që prejardhjen e ka pikërisht nga Zhegra e Gjilanit, prej nga janë edhe këta dy vogëlush.
Përndryshe, Lioni luan me këmbën e djathtë dhe ka dëshirë të luaj në sulm, sulmues anësor, pikërisht siç thotë ky vogëlush “Sikurse CRr7”, duke aluduar në idolin e tij Ronaldo. I shpejtë e i rrezikshëm për portën kundërshtare. Ndërsa, edhe Amari luan në mesfushë dhe është një majtak i shkëlqyeshëm, i rrezikshëm kur gjuan me të majtën.
Pasioni për lojën e futbollit i bënë ata që përveç në shkollën e futbollit, edhe në kohë ne lirë ti gjesh me top në këmbët e tyre.
Lioni e Amari, vazhdojnë të jenë të mirë në mësime duke mbyll edhe këtë gjysmë vjetor me sukses shembullor, ndërsa po vazhdojnë ushtrimet në shkollën e futbollit “Migjeni”, në Zhegër të Gjilanit. Po ashtu me sukses, e po ashtu vazhdojnë edhe ëndrrat e tyre për të cilat po punojnë që t’i jetësojnë, që një ditë të jenë futbollist profesionist në ekipe me emër.