Koalicioni LDK-AAK-Nisma, ka bërë të ditur edhe një herë pas takimit të sotëm se PDK’ja nuk do të jetë pjesë e Qeverisë. kreu i Nismës Fatmir Limaj ka deklaruar se qeveri gjithëpërfshirëse do të ketë, por PDK’ja nuk do të jetë pjesë e saj.
Ndërkaq Haradinaj ka kursyer komentet duke thënë se realiteti po dihet, dhe nuk ka nevojë të komentojë në lidhje me deklaratat e PDK’së.
” I kemi kursyer komentet në lidhje me deklaratat e PDK’së sepse realiteti po shihet. Është e rëndësishme ta kemi parasysh se vendimi i LDK-AAK -NISMA dhe subjekteve të tjera politike për “Jo Thaçi III” është serioz e ka në bazë ndryshimin që do të ndodhë në vend,” ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se nuk ka pasur kushte të paraqitura zyrtarisht nga Lista Serbe.
“Ajo që kemi hetuar është interesimi i LS’së për të marrë pjesë në qeverisje. Mirëpo, asnjëherë nuk kanë paraqitur kushte zyrtarisht,” ka thënë ai.
Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje, Haradinaj ka thënë se ka pasur ngecje në komunikim, por komunikimin do ta ripërtërinjë pas seancës së Kuvendit.