/2L ONLINE/ – Me iniciativë të shoqatës “Parandalo” nga Cyrihu i Zvicrës dhe në bashkëpunim me Zyrën Për Informim Publik të komunës së Vitisë, sot në shkollën e mesme profesionale “Jonuz Zejnullahu” është mbajtur një ligjëratë me nxënësit e dy shkollave të mesme, ku u fol për vetëdijesimin e të rinjve kundër varësisë së mediave digjitale dhe lojërave të fatit.
Fillimisht, kryetarja e shoqatës “Parandalo”, Valdete Hoti, ka njoftuar se në Kosovë po vijnë për herë të parë me një ligjërate, që nga themelimi i shoqatës, pasi që veprimtaria e saj është e shtrirë në disa kantone të Zvicrës.
“Ky organizim është duke u bërë në shënimin e përvjetorit të fillimit të veprimtarisë së shoqatës, pasi që tani mbushen 5 vite që kur kemi themelua shoqatën. Qëllimi i veprimtarisë është që shoqëria shqiptare në Zvicër, të jetë më aktive në parandalimin e dukurive negative. Shoqata si e tillë, vepron në pjesën gjermano-folëse si në : Cyrih, Bazel, Argau, Sangall, Tun e shumë kantone të tjera”, ka thënë znj. Hoti.
Ndërkaq Drita Ibrahimi Shabani punëtore sociale në Zvicër dhe ligjëruese e temës, ka njoftuar mbi arsyet e mbajtjes së kësaj ligjërate, e cila nis në Viti dhe vazhdon edhe në komuna të tjera të Anomoravës. “Duke u bazuar në shumë arsye që ne hasim në jetën e përditshme këtu , si dhe pasojat negative që mund ta prekin rinin tonë, kemi marrë iniciativën që në shënimin e përvjetorit të shoqatës, të zhvillojmë ligjërata me nxënësit e shkollave të mesme të komunave Viti, Kamenicë, Gjilan e Ferizaj.
Sa i përket temës, ne kemi menduar se aktuale është zhvillimi i hovshëm i teknologjisë dhe varësia e të rinjve ndaj mediave digjitale, respektivisht rrjeteve sociale dhe faqeve tjera. Gjithashtu edhe përdorimi i telefonit me orë të tëra, është një faktor që po ndikon varësi dhe shfaq probleme të shumta tek nxënësit apo të rinjtë” ka theksuar znj. Shabani.
Ligjëratat që kanë të bëjnë me dukuritë negative që vijnë nga shfrytëzimi i rrjeteve sociale, ajo i ka parë si shumë të nevojshme në Kosovë, por si të tilla edhe për vendet e tjera evropiane. Ajo gjithashtu ka potencuar edhe anët pozitive që kanë mediat digjitale në informimin korrekt, objektiv e të shpejtë dhe pasqyrimin real të ngjarjeve që ndodhin në kohë sa më të shpejt.
Në këtë organizim ka folur edhe themeluesi i shoqatës “Parandalo” Xhemajl Selimi, i cili ka njoftuar të pranishmit mbi veprimtarinë e deritanishme të shoqatës.
Ndërkohë që drejtori i shkollës së mesme profesionale, Nijazi Lutfiu, i ka përshëndetur përfaqësuesit e shoqatës për organizimin e kësaj ligjërate, duke shpresuar që kjo të ndikoj në parandalimin e dukurive negative.
“Ne ishim të priveligjuar që përfaqësuesit e shoqatës “Parandalo” kanë zgjedhur Vitinë për të komunikuar drejtpërdrejtë me nxënësit tanë, si dhe për të folur rreth atyre faktorëve që vijnë si rrezik për të rinjtë nga mediat digjitale dhe lojërat e fatit. Për gjatë kësaj kohe, nxënësit patën rast të njihen me pasojat, rreziqet dhe keqpërdorimet që mund të vijnë nga varësia e mediave digjitale, në këtë rast rrjetet sociale por edhe pasojat që mund ti shkaktojnë lojërat e fatit ”, ka thënë drejtori Lutfiu./2L ONLINE/