/2L ONLINE/ – Autoritetet serbe, tani e sa kohë, kanë bllokuar në terminalin doganor tekstet shkollore shqip të dhuruara nga Ministria e Arsimit të Kosovës, për nxënësit shqiptarë. Kjo ka bërë që sot të protestohet nga shqiptarët e Luginës, student, nxënës, prindër të tjerë.
Ja fjala e plotë e lexuar në ktë protestë nga Blerina Ajvazi në emër të Këshillit Studentor i Luginës së Preshevës
***
Të nderuar student, nxënës, prindër,
A mund të burgosen librat? Dëgjuam dikë të thoshte JO.
Por kjo s’është e vërtetë. Librat tanë janë burgosur dhe ata po trajtohen si mall i ndaluar.
Më lejoni që para jush të parafrazoi ish presidentin francez Fransua Mitero, i cili pat thënë se në qoftë se njeriu nuk është i rrethuar me libra, ai e humb kontaktin me botën. Dhe, tani më është vërtetuar se qeveria serbe këtë po e don, që ne të humbasim kontaktin me botën e qytetëruar, që pastaj të na akuzojnë se jemi analfabetë, të paditur, primitivë, të pacivilizuar, të dhunshëm, johumanë e terroristë.
Por, ne mbi të gjitha duam që drita e diturisë të na shpjerë përpara, duam shkronjat tona shqipe në shkollat tona, duam librat tanë në gjuhën e bukur shqipe, duam për secilin shkollar nga një Abetare…
Të nderuar student, nxënës dhe ju prindër, periudha e iluminizmit ka kohë që ka kaluar por neve shteti serb po synon që akoma të na mbajnë në errësirë.
Përmes burgosjes e mohimit të librit shqip, ata duan të na ndryjnë shpirtin me përdhunë. Por kjo kohë do të mbarojë një ditë, si çdo kohë e ndalimit, e dhunës e rrenës klluçe…
Tani e tutje, të nderuar qytetarë, shpirti jonë vetëm sa do të rebelohet më shumë e do të jetojë gjer në agun e një dite, një dite që patjetër do të çelë përmbi dhé.
Udhëtim nëpër skëterrë, e quante shkrimtari fatin e shqiptarëve që prekin skëterrën në tokën e vet, atë skëterrë që e ofrojnë shtetet si ky në emër të demokracisë.
Ne iu drejtohemi qeverise serbe se libri është fanar ndriçues që ndrit skëterrat e ngritura nga ju.
Andaj nga ky vend iu themi se lironi librat tona. Kthjelluni dhe reflektoni, mos i pengoni shqiptarët autoktonë në Luginë të Preshevës që ti ushtrojnë të drejtat e tyre.
Faleminderit
Këshilli Studentor i Luginës së Preshevës lexo edhe: