Drejtori i Shkollës fillore “Zenel Ajdini” në Raincë, Shukri Ymeri, ka demantuar deklaratën e kryetarit të Trupit Koordinues Zoran Stankoviq i cili ditë më parë kishte thënë se librat e konfiskuara në këtë shkollë ishin kontrabandë.
“Nuk kemi të bëjmë me kontrabandë të librit, këto libra janë donacion, falas kanë ardh dhe falas ishte planifikuar të shpërndaheshin në tërë komunën e Preshevës. Prandaj e demantojë një lajm të tillë, nuk ka të bëjë me kontrabandë”, deklaroi për TV Preshevën drejtori i shkollës Shukri Ymeri, duke hedhur poshtë pohimet e Stankoviqit, transmeton Titulli.
Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kishte thënë “se dikush ka tentuar që t’i kontrabandojë mbi 6.000 tekste në gjuhën shqipe dhe t’ua ndaj fëmijëve nga klasa e parë deri në të katërtën të shkollës fillore. Këto libra janë konfiskuar sepse është shkelur ligji, ndërkohë që nuk ka ekzistuar kurrfarë dokumenti përcjellës”