Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me deputeten, Albulena Haxhiu, pritën sot në zyrat e Lëvizjes delegacionin e programit “Lead Albania”. Pjesë e këtij delegacioni nga Shqipëria ishin Sokol Avxhiu Eduart Gjokutaj, Sokol Muça, Qamil Dika, Ledio Braho, Admir Malaj dhe Bledar Dervishaj.
Në këtë takim u diskutua rreth situatës aktuale politike e ekonomike në Kosovë dhe për procesin në të cilin po kalon ndërtimi i institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.
Delegacioni nga Shqipëria ishte i interesuar të njihet se cilat janë mundësitë për zgjidhjen e kësaj situate dhe hapjen e rrugës për krijimin e institucioneve. Gjithashtu përfaqësuesit e këtij delegacioni kanë shprehur interesimin për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos në zgjidhjet që janë hartuar për fushën e arsimit dhe modelin ekonomik.
Midis të tjerash Kryetari Albin Kurti tha se integrimet kombëtare në çdo fushë duhet të çojnë te bashkimi politik shtetëror. Ndërsa iu përgjigj edhe pyetjeve të shumta që pjesëtarët e këtij delegacionit ishin të interesuar t’i dinë.