(2L ONLINE) – Ditë më parë, kreu i Komunës së Gjilanit dhe i LDK-së, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se do të rishikojë koalicionin që LDK ka me partnerët e saj në Gjilan. Në këtë drejtim, mësohet se ai veç se po takohet me përfaqësues të atyre subjekteve me të cilat është në bashkëqeverisje me Gjilanit.
Ndonëse Haziri nuk e ka pranuar, megjithatë kjo çështje e rishikimit të koalicionit ka të bëjë edhe me atë se këta partnerë, kryesisht ata që në kuvend janë të përfaqësuar me nga një këshilltar, janë treguar të vendosur për të mos ja votuar ndryshimet statutare, që Haziri dhe partia e tij, bashkë edhe me AAK-në, dëshiron ta kalojë sa më shpejtë në Kuvend.
Bile, në seancë të fundit, ndonëse ishte në rend dite, çështja e statutit të komunës u largua, e që sipas opozitës, kjo u bë, pasi pozita nuk i kishte numrat.
Për këto ndryshime, nevojiten 2/3 e votave të kuvendarëve që janë gjithsej 35 sosh, që realisht, tani për tani, 23 vota sa duhen, nuk i ka LDK-ja e Hazirit. Veçmas, pasi partnerët e LDK-së, e kanë parë si një rast të mirë, për të bërë presion që ta marrin hisen që vlerësojnë se u takon si partnerë që janë, apo edhe që ua ka premtuar vet Haziri, përkatësisht partia e tij LDK – ja.
LDK në kuvend ka 13 këshilltar plus 4 të AAK-së, bëjnë që t’u nevojitet së paku edhe mbështetja e 6 këshilltarëve, të atyre subjekteve që janë me nga një ulëse (që janë 7 ). Gjithnjë, duke llogaritur, se 7 këshilltarët e PDK-së dhe 4 të Vetëvendosjes, kanë deklaruar deri më sot se nuk ja votojnë ndryshimet statutare.
Lutfi HAZIRI (LDK) & Sejdulla KADRIU (LV)
E, kur jemi te takimet që Haziri ka nis të i bëjë me partnerët e subjektit të tij, 2L ONLINE, mëson se në këtë vazhdë një takimi i tillë është realizuar me Lëvizjen Vatra që ka një këshilltar në asamble,Sejdulla Kadriun, dhe si duket Haziri atë e ka rehatuar, duke siguruar mbështetjen e tyre, përkatësisht të këshilltarit të Vatrës.
Ndonëse Lëvizja Vatra e kishte bërë një veprim që do të mund të ndikonte në prishje të koalicionit me LDK-në, pasi në nivelin qendror, gjatë zgjedhjeve nacionale, ishte bërë bashkë me PDK-në, si duket kjo ishte tejkaluar dhe për Gjilan, LDK e Vatra do të rrugëtojnë bashkë përgjatë mandatit të këtij pushteti, pra deri më 2017, nëse nuk ndodhin zhvillime që mund ta lëndojnë këtë “besatim” të tyre.
Vatra do ta mbështet LDK-në edhe për çështje të statutit pasi kjo edhe ka të bëjë me përmbushjen e kërkesës së tyre, që sa më parë të hapet Zyra për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të kapur pas premtimit të Hazirit, se pikerisht kuadrot e Lëvizjes Vatra do ta drejtojnë atë zyre.
E, kryetari Haziri mësohet se është takuar edhe me partnerë të tjerë dhe mbetet të shihet se a do t’i rehatojë edhe ata për të vazhduar tutje koalicionin aktual, apo do të ndodhin ndryshime, pasi nuk është larg mendsh, që Haziri mbështetje për statut të marrë edhe nga katër këshilltarët e Vetëvendosjes, aktualisht opozitë, pasi një gjë e tillë nuk është e pamundur nëse gjërat në nivelin qendror shkojnë në favor të Bllokut VLAN, pjesë e të cilës janë edhe LDK edhe Vetëvendosje. Mbetet të shihet!/2L ONLINE/
.