/2L ONLINE/ – Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës shpreh mbështetjen e saj të pakursyer për protestën e sotme të organizuar nga studentët dhe nxënësit ndaj bllokimit nga autoritetet serbe të teksteve shkollore shqip të dhuruara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës.
“Duke përshëndetur pjesëmarrjen masovike të qytetarëve të Preshevës në këtë protestë paqësore, u bëjmë thirrje qeverise së Serbisë që të distancohet një herë e përgjithmonë të heq dorë nga etnocidi që po ushtron në Luginë të Preshevës” , ka bërë të ditur Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës- Prishtine
Sipas tij, Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës, njëkohësisht inkurajon qytetarët e Preshevës që t’i intensifikojnë veprimet paqësore të protestimit deri sa librat shkollorë t’u kthehen nxënësve tanë. Ndërkaq, për të përforcuar mbështetjen e saj në praktikë, Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës do t’i mbështesë veprimet e karakterit prootestues të qytetarëve të Preshevës duke adresuar nota proteste institucioneve relevante të Bashkimit Evropian, duke besuar që ndikimi i Brukselit do të ketë efektin e vet pozitiv në Qeverinë e Serbisë për të ndërprerë këtë fushatë të ashpër diskriminuese.
Lëvizja për integrim e Luginës së Preshevës bënë thirrje të gjithë subjekteve politike në Luginë që sot të jenë përkrah studentëve shqiptarë. /2L ONLINE/