Në kuadër të projektit i cili bashkëfinancohet nga “Let’s Do It Kosova” dhe Komuna e Vitisë, ka filluar faza e dytë e projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve në fushën e edukimit mjedisor dhe rivitalizimi i hapësirave shkollore”.
Me këtë rast janë mbjellë me qindra fidane në 10 shkolla të kësaj komune. Kryetari i komunës Sokol Haliti, ka theksuar se me këtë aktivitet, sikur edhe shumë të tjera që janë zhvilluar në komunën e Vitisë që kanë të bëjnë me mjedisin, po arrijm të krijojm një ambient më të pastër, si për nxënësit në shkolla, po ashtu edhe për qytetarët tanë në përgjithësi.
“Në sferën e ambientit, Vitia është njëra ndër komunat më aktive. Ne duam ta përmbyllim me mbjelljen e drunjëve dhe në mbrojtjen e pyjeve dhe në ripyllzimin. Bashkë me nxënës, në shkolla po fuqizojmë rolin tonë në kujdesin dhe gjelberimin e ambientit, me pemë dekorative e me mbjellje të drunjëve në hapësirat e shkollave. Vitia ka shënuar progres në fushën e ambientit dhe pastertisë, vendimi i komunës për vit ambiental ka qenë me vend dhe do të punojmë deri në fund të vitit”, u shpreh Haliti
Ai më tej theksoi se përmes këtij aktiviteti, synohet krijimi i një kulture të re mjedisore dhe investimi konkret në ngritjen e vetëdijes së gjeneratave të reja. Projekti do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim, me trajnime dhe mbjellje të fidanëve në të gjitha shkollat e kësaj komune.