Në kohën kur Kosovës po i kthehen lojtarë që munguan gjatë, lëndim ka pësuar mesfushori që aktualisht po kalon formën më të mirë.
Idriz Voca të dielën shënoi golin e fitores për Luzernin ndaj Xamaxit në kampionatin zviceran, por u zëvendësua ende pa përfunduar pjesa e parë. Në fillim kishte drojë se lëndimi i Vocës ishte i rëndë dhe ai do të mungonte për kohë të gjatë.
Njëjtë vlerësonte edhe vetë 22-vjeçari, që luan në qendër të mesfushës.
Menjëherë të hënën, Voca iu nënshtrua kontrollimeve të detajuara mjekësore, ndërsa me terapi ka vazhduar të martën.
Ai megjithatë nuk do të mungojë gjatë. Nga mjeku i është thënë se duhet të pushojë prej dy deri në katër javë, ndërsa fizioterapeuti i ka thënë të martën se ndoshta do të kthehet në stërvitje qysh këtë javë.
Voca po kalon formë të lartë këtë edicion. Ka kompletuar thuajse të gjitha ndeshjet për Luzernin. Luzerni ka fituar tri ndeshjet e këtij viti, ndërsa në dy prej tyre Voca ka shënuar gola.