/2L ONLINE/ – Duket qartë se punët janë bërë lëmsh në AKR-në e Gjilanit, tani veçmas në Forumin e Gruas, sa që palët që thirren po në emër të këtij Forumi edhe po e shkarkojnë njëra tjetrën. Ndonëse ky subjekt ka pak kohë që ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor nga ku dolën strukturat e reja, mjaftuan pak ditë dhe të vije deri te shkarkimi i parë, e që u bë me rastin e shkarkimit të nënkryetarit të degës, Kujtim Shahiqi, bërë nga kryesia e Degës, në drejtimin e kryetarit të Degës Ismet Hajdini, por që një shkarkim të tillë Shahiqi nuk e kishte pranuar, duke e konsideruar si jostatutare.
Kjo kishte reflektuar pastaj edhe te Forumi i Gruas, që drejtohej nga Ymrane Shahiqi, sipas të cilës, FG e AKR-së vlerësonte se kryetari i Degës Ismet Hajdini nuk paraqet unitet të Degës dhe se për këtë forum ai ishte person ‘non grata”. Si kundërpërgjigje erdhën ndryshimet që u bënë në Forumin e Gruas, ku sipas një komunikate të lëshuar në emër të FG-së u bënë të ditura ndryshimet në këtë Forum , ku në vend të Ymrane Shahiqit pozita e kryetare së FG të AKR-së, u tha se iu besua Vjollca Matoshi – Gagica, deri në atë moment nënkryetare e parë.
Por, që ky vendim tani prapë po kontestohet nga Ymrane Shahiqi, pretenduese s të jetë ajo akoma kryetare FG AKR-së Dega në Gjilan. Për më tepër, sipas saj, tani FG ka mbajtur takim dhe ka shkarkuar nga pozita e nënkryetareve edhe Vjollca Matoshi –Gagica edhe Shpresa Avdiu Mehmeti.
Lexo paraprakisht edhe: Risitë në AKR: Vjollca Matoshi-Gagica zë vendin e Ymrane Shahiqit!
Përndryshe, në komunikatën e sotshme që vije nga FG i AKR-së, me Ymrane Shahiqin, kryetare, thuhet se “AKR, FG në Gjilan në mbledhjen e rregullt të mbajtur nga Kryetarja e degës Ymrane Shahiqi me shumicë votash shkarkon nga detyra nënkryetaren e parë të këtij Forumi Vjollca Matoshi –Gagica dhe nënkrytaren e dytë Shpresa Avdiu Mehmeti .Ato gjithashtu largohen edhe nga kryesia e forumit ku aktivitetet e tyre do t’i vazhdojnë vetëm si anëtare të AKR-së. Shkarkimi vije për shkak të mospërfilljes së autoritetit të këtij forumi dhe detyrat e mara nga kjo kryesi”.
Sipas Ymrane Shahiqit, informacionet për ndërrime, që janë bërë në emër të Forumit të Gruas së AKR-së, janë malverzime të bëra nga Kryetari degës Ismet Hajdini. Sipas saj, bazuar në statut të AKR-së FG kudo në Kosovë themelohet nga Kuvendi Zgjedhor si organ më I lartë zgjedhor. Me datën 29.09.2016 është mbajtur kuvendi zgjedhor I F.G në Gjilan në prani të më shumë se 250 grave dhe 184 delegateve ku kryetare e FG është zgjedhur Ymrane Shahiqi. Më tej vazhdon sqarimi: “Si parti presidenciale në raste specifike sipas statutit të AKR-së shkarkimin e Kryetares e ka të drejtën ekskluzive vetëm Presidenti I AKR-së në këtë rast zoti Pacolli. Për çfarëdo dorëheqje apo shkarkim sipas statusit duhet të mbahet prapë kuvendi zgjedhor ku zgjidhet Kryetarja dhe kryesija e re. Jo emërime siç pretendon kryetari i degës duke manipuluar me gratë e Forumit duke mos respektuar statutin e AKR-së”.
Sipas Shahiqit, mbas çfarëdo shkarkimi hipotetik nuk ka më FG deri në konventën e re. “Emërimet, me Nenin “Xhavit Nimani” I takojnë diktaturës komuniste z. Kryetar I degës. Për këtë arsye ju lus, mos manipuloni opinionin publik dhe gratë e forumit me emërime”, thotë tutje Shahiqi, për të shtuar: “Kam frikë se paranoizmi I Kryetarit të degës do të shkojë aq larg ku në ndonjë mbledhje të radhës do të shkarkoj edhe vet Presidentin e AKR-së. Si do që të jetë, gratë e AKR-së në Gjilan ju merret e drejta për organizim ,manipulohen dhe shantazhohen në mënyra të ndryshme . E drejta për fuqizimin e gruas mbetet vetëm terminologji abstrakte .Duke mare para sysh se kryetari degës në mënyrë të vrazhdë ka dëmtuar imazhin e AKR-ë dhe ka thyer vet ligjet dhe statusin e partisë I sugjeroj që të jap dorëheqje ose në të kundërtën këtë do ta bëj vet elektorati AKR-së në zgjedhje”.
Dhe derisa gjërat rrjedhin kështu në AKR-në e Gjilanit, përkatësisht në Forumin e Gruas, qendra përkatësisht, Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli, do të mund ta sqaronte fare lehtë këtë punë njëherë e mirë. /2L ONLINE/