(2LONLINE) – Të gjitha strukturat e degës së LDK-së në Gjilan në krye me kryetarin Lutfi Haziri, kanë shënuar sot 15 vjetorin e çlirimit të Gjilanit. Me këtë rast, Haziri tha se datat 12 deri 15 qershor shënojnë ditët më të bardha të historisë së re të Gjilanit.
“Para vitit 1999 të gjithë ne bashkë kemi dhënë kontributin tonë të jashtëzakonshëm për këtë ditë të bardhë dhe historike, duke u gjunjëzuar para veprave të mëdha të presidentit historik Ibrahim Rugova. Datat12 deri 15 qershor do të kujtohen si data të kthesës dhe shpresës, angazhimeve të pandalura për integrim në BE dhe NATO, prosperitet, zhvillimit ekonomik dhe jetës më të mirë për të gjithë”, tha Haziri.
Po ashtu, strukturat e LDK-së në Gjilan kanë diskutuar edhe për regullshmërinë e procesit zgjedhor në zgjedhjet e 8 qershorit, ku u rikonfirmua fitorja e LDK-së, përkundër PDK-së dhe partnerëve të saj. Gjilani dhe Anamorava rikonfirmuan edhe njëherë rugovizmin e tyre karshi proceseve dhe falënderimi u takon qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për votë qytetare.
Strukturat e LDK-së kanë dhënë mbështetje të plotë për koalicionin e kthimit të shpresës me besim të madh që Kosova do të vendosë stabilitet të madh dhe prosperitet.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit e shënon 15 vjetorin e çlirimit të Gjilan me një sërë aktivitetesh, ku sonte në ora 20:00 do të bëhet hapja e festivalit “Gurra Popullore” para platosë së Teatrit të Qytetit.
Nesër më 15 qershor 2014, duke filluar nga ora 11:00 do të bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve, përderisa në ora 12:00, para Teatrit të Qytetit, do të bëhet ndarja e mirënjohjeve për persona të cilët kanë dhënë kontribut të veçant në fusha të ndryshme. /2L ONLINE/