Sot, nën përkujdesjen e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, z.Kushtrim Kadriu, nderuam me akademi përkujtimore aktivistin e pashoq dhe mikun tonë të madh, Lulzim Mahmutin, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës- Dega Gjilan, z. Lutfi Haziri, së bashku me bashkëpunëtorët, anëtarët e Kuvendit Komunal, anëtarë të Kryesisë së Degës, veprimtarë e aktivistë të LDK-së, u mblodhën për të vlerësuar personalitetin e Lulit dhe ngushëlluar familjen e tij, të cilën e deshi pa kushte.
Luli ishte besnik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç besimit të pathyeshëm, ai kishte dashuri të pastër për vlerat rugoviane, për të cilat nuk rreshti asnjëherë së punuari.
Në emër të Degës së LDK-së, në këtë akademi folën Kryetari i Degës, z. Haziri, bashkëveprimtari i tij në nëndegë, z. Fitim Guda, anëtari i Kryesisë dhe anëtari i Kuvendit Komunal, Dr. Besim Guda, në emër të institucionit të Kuvendit Komunal, z.Kushtrim Kadriu dhe në fund në emër të familjes, vajza e tij, Altesa Mahmuti.
Ngushëllime familjes dhe Degës së LDK-së në Gjilan i dërgoi edhe kryetari i LDK-së, Prof. Dr. Lumir Abdixhiku.
“ Në këto momente të rënda për familjen ne kujtojmë me nder dhe admirim kontributin e tij të palodhur në shërbim të qytetit të Gjilanit dhe familjes tonë politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ai nuk është më mes nesh, trashëgimia e tij që la pas dhe idealet që përfaqësoi do të jetojnë mes nesh gjithmonë”- tha kryetari Abdixhiku në telegramin e tij.
Lul, miku ynë, pusho në paqe, thuhet në njoftimin e LDK-së. /2LONLINE/