(2L ONLINE) – Kreu i LDK-së së Gjilanti Lutfi Haziri në një konferencë me gazetarë ka thënë se sipas të gjitha njoftimeve dhe duke qenë dëshmitar personalisht i vizitës së 32 vendbanimeve, që përfshinë diku mbi 15 shtabe zgjedhore që i ka të organizuara LDK-ja në Gjilan dhe sipas njoftimeve që i kanë marrë nga vëzhguesit e LDk deri në ora 15:00, kanë dalë në votime 30% e qytetarëve të Gjilanit.
“Deri tash, nuk kemi asnjë incident që do ta dëmtonte procesin zgjedhor dhe me këtë rast, më lejoni ta falënderoj policinë dhe prokurorinë e shtetit, për reagimin ndaj një spekulimi propagandistik që selia e PDK-së në Gjilan e ka bërë në rastin e fshatit Lladovë . Vet policia dhe prokuroria ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar që asnjë lloj dëmtimi të procesit nuk ka. Shtabi i fshatit Lladovë, që organizohet nga LDK-ja atje, ka qenë në vendin e punës, njerëzit kanë qenë në oborr dhe në familjet e veta, qytetarët lirshëm kanë shkuar në vendvotime dhe paniku që i ka kapluar PDK-në, në këtë rast tregon qartë që duan ta dëmtojnë procesin zgjedhor në Gjilan”, ka thënë haziri.
Sipas tij, Gjilani prinë për solemnitet dhe dalje në zgjedhje dhe ka apeluar dhe ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë edhe në tri orët e fundit në mënyrë që procesi të jetë sa më madhështorë, sa më masovik dhe sa më solemn.
“Gjilani përfundimisht po prinë në drejtim të ndryshimeve të mëdha që Kosova sot po pret. Sonte me qytetarët ë Gjilanit dhe ata të Anamoravës, ne do të dëshmojmë edhe njëherë kulturën e lartë qytetare, kulturën e lartë indstitucionale dhe vendosshmërinë tonë që ta ruajmë mbështetjen dhe procesi i votimit është siguria dhe garanca më e madhe që njerezit e japin për shtetin e vet, për jetën e vet dhe për mandatin e ardhshëm qeverisës”, ka thënë Haziri i LDK-së.
Reagon edhe Besnik Benz
Lidhur me komunikatën e PDK-së (PDK: Lusim policinë e Kosovës që të marrin masa), ka reaguar edhe Besnik Benz, pronar i “Garage Benz Ajeti” Kompani e cila vepron edhe ne Gjenevë të Zvicrës, e që lidhur me këtë komunikatë të PDK-së së Gjilanit, se kinse ai me stafin e tijë po ndikon tek elektorati duke e demantuar këto trillime, siç thotë ai, të shtëpizës së shkatërruar me emrin PDK.
Për më tepër ai thotë se për shkak të etiketimit të emrit të kompanisë së tij do të ushtrojë edhe padi pran organeve kompetente, ngase siç thotë ai, është qëllim të prishin imazhin e tij të mirë , për vite të tëra, me mund dhe djerse të krijuar nga ai dhe familja e tij. /2L ONLINE/