Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka thënë të martën se arratisja e disa prej të paraburgosurve të “Grupit Drenica” nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) tregon edhe një herë se ka dështuar sistemi i drejtësisë në vend dhe tregon se fatkeqësisht ndërhyrjet e mëdha politike në këtë sistem e kanë shkatërruar vendin, e kanë degraduar vendin dhe po ashtu e kanë dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Për shkak të ndikimeve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në sistemin juridik të vendit, ndodhin edhe akte të tilla. Ky është një prej shembujve më eklatantë. Ne si LDK vazhdimisht e kemi ngritur zërin për raste të tilla”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, zyrtarët e akuzuar që janë pjesë e strukturave të larta të PDK-së, nuk është hera e parë që në vend se të jenë burg, “e vuajnë” dënimin e tyre në QKUK.