/Fjala e plotë e Sulejman Dërmakut, redaktorit të librit me poezi “Dy lulet e mia” të autores Shqipe isufi, përuruar ditë më parë në Gjilan/
Sulejman Dërmaku
LARUSHI POEZISH NGA JETA E PËR JETËN
Miq të mirë, libra të mirë dhe ndërgjegje e pastër: Kjo është jetë ideale, pohon Mark Tuen. Sot dhe këtu besoj i kemi që të tria këto, ndaj uroj të kalojmë çaste të asaj jete që Tuen e konsideron ideale.
Si fëmijë, me një libër nën sqetull, marrë në bibliotekën e fshatit fqinj, gjatë ditëve të pushimit veror, ruaja bagëtinë. Në krye të fshatit, ku fillonte rrëza e pyllit, në të cilin do t’i nxirrnim bagëtinë për kullotë, për çdo mëngjes më priste axha Veli. Në sytë e mi, të një fëmije 9-10 vjeç, ai ishte plak, ndonëse më vonë e kam kuptuar që ai atëbotë mund të ketë qenë mbase 40-50 vjeç. Shpesh atyre grykave bërtisnim dhe kënaqeshim me jehonën fjalëve tona, madje të stëprësëritura, që na i kthenin ato gryka. Kështu është edhe jeta, më pati thënë axha Veli. Jehonën e synimeve dhe veprimeve tona na e kthejnë “grykat” e jetës.
Pikërisht jehonën e atyre “grykave” të jetës së saj, shprehur figurshëm, autorja e librit “Dy lulet e mia”, Shqipe Isufi, e ka pasqyruar nëpërmjet poezive. Pra, objektivisht, kuptimi leksikor i vargjeve të librit të Shqipes reflektohet nga konteksti jetësor. Mesazhi i autores është shprehur nëpërmjet kësaj forme, meqenëse poezia konsiderohet lloji më i lashtë letrar. Edhe titulli i librit është një metaforë më vete, siç është edhe e tërë poezia në brendi të librit, kushtuar dy fëmijëve të saj. Ata i identifikon me lulet, për të cilat ka dashuri të pakufishme, duke u kujdesur në vazhdimësi, me përkushtim të veçantë, për rritën e mbarësinë e tyre gjithandej. Tek ato lule ajo sheh veten e saj dhe nuk ngurron që lexuesit hapur t’ia shpërfaqë ndjenjën e njëjtësimit, duke pohuar se ato janë pasqyrë e vetes së saj. Këto qëndrime, në aspektin e konceptimit të mjeteve shprehëse (të cilat spikatin fund e krye në poezitë e saj) ndërthuren me njëri-tjetrin dhe i shërbejnë po njëri-tjetrit në qëllimin e kësaj autoreje për të sajuar vargje sa më të ngrohta, sa më të ndjeshme e sa më të afërta.
Secili autor, përmes formave të ndryshme të artit, mund të shprehet në mënyrën se si e sheh dhe se si e ndien këtë botë dhe këtë jetë. Si gjini e letërsisë, poezia përpiqet t’i japë përgjigjen e saj rimuese pyetjes së përjetshme, se çfarë do të thotë kuptimi i jetës sonë. Në këtë vazhdë, disa poezi të Shqipes janë vërtet rezultat i reflektimit të autores për jetën, përgjithësisht, e për jetën e saj, posaçërisht. Në këtë libër, ndaj, lexuesi do të gjejë një larushi poezish nga jeta e për jetën, që në njëfarë mënyre mund të jenë edhe reflektim vetjak i tij, domethënë i lexuesit.
Vetëm fatkeqësia e mërgimit mund t’ia sigurojë botës në thellësi kuptimin dhe shikimin e qartë për realitetet e saj, pohon Cfajgu. Prandaj, duke qenë edhe vetë mërgimtare, pothuajse në të gjitha vargjet e poezive të Shqipes ndihen malli zhuritës e dashuria e madhe dhe e çiltër për atdheun, për vendlindjen, për prindërit. E kur dashuria është e pakufishme, pohohet se pikëllimi është i thellë. Ngushëllimin për këtë pikëllim duket që edhe Shqipja e kërkon, mbase edhe gjen deri diku, në vargjet që burojnë nga thellësi e shpirtit të saj. Zaten, në njëfarë mënyre, këtë e ka pohuar që në lashtësi edhe Horaci, kur këlthet: “O poezi, ngushëllim i ëmbël në pikëllim!” Shqipja, pra, pikërisht në vargje gjen ngushëllim edhe për pikëllimin e dhembjen që ndien për kalimin e prindërve në amshim, edhe për vendlindjen e për njerëzit e dashur që nuk i ka afër, edhe për fjalën shqipe, që i mungon në dhe të huaj, edhe për të gjitha ato kujtime që i mori me vete e i ruan të ndryra në zemër, si një thesar i çmuar në jetën e saj.
Në autobiografinë e vet, autorja pohon: “Poezitë ia kushtova vetes dhe familjes sime, në radhë të parë, dhe pastaj shumë mërgimtarëve kudo që jetojnë. Në vargjet e mia pasqyrohen halli dhe dilema, që ka çdo shqiptar anekënd botës.” Pra, në poezitë e Shqipes, siç e pohon vetë, por edhe siç shihet nga subjekti i poezive, nuk pasqyrohet vetëm jeta e saj, e familjes dhe e mërgimtarëve, por edhe e të gjithë bashkëkombësve anekënd botës.
Poezia, rëndom, është evokative. Zakonisht ngjall një emocion intensiv tek lexuesi: gëzim, trishtim, zemërim, katarsis, dashuri… Kështu ndodh edhe me vargjet e autores së librit “Dy lulet e mia”. Përvoja e saj jetësore – zbulimi, depërtimi, kuptimi i mëtejshëm i së vërtetës dhe i bukurisë elementare, shpërfaqen nëpërmjet vargjeve të thurura, me të cilat jo rrallë lexuesi identifikohet edhe vetë, duke pasur një jetë të tillë ose të ngjashme, me të gjitha peripecitë e ndeshtrashat që i sjell përditshmëria njerëzore. Jam i sigurt që secili lexues do të gjejë diçka të njohur ose të afërt për zemrën e tij në secilën poezi të këtij libri të Shqipes.
Vargjet e poezive të saj, veç të tjerash, përshkohen me një ndjenjë të thellë sinqeriteti, madje edhe atëherë kur në njëfarë mënyrë janë një autokritikë.
Ikën vitet dhe ne u rritëm
Besa ikëm dhe nga shtëpia
Harrova për ca kohë emrin motër
Se më kishte zënë dashuria
Janë këto vargjet e një strofe të poezisë titulluar MOTËR, e cila i kushtohet motrës. Vargu i fundit reflekton sinqeritet të skajshëm, që nuk e ndeshim aq shpesh te krijuesit. Nëpërmjet tij autorja sikur i kërkon falje motrës për atë çast harrese. Dhe cili lexues eventual nuk ka pasur ndonjë çast të tillë, kur ta ketë zënë dashuria dhe të ketë harruar shumëçka. Prandaj, edhe ai do ta përjetojë thellë këtë varg dhe këtë ndjenjë të shpërfaqur aq sinqerisht.
Nëse në sjelljen tonë ndjekim ligjin e virtytit, atëherë do të kemi një liri reale për shprehjen e vetvetes, thotë Rabindranat Tagore. Mbase përgjatë tërë jetës së saj, duke ndjekur pikërisht këtë ligj të virtytit, autorja ka vërtet një liri reale të shprehjes së vetvetes dhe të të gjithë atyre që i bën personazhe trajtimi në vargjet e saj. Sepse nuk është thënë rastësisht se letërsia zbulon atë që në jetën e përditshme të njeriut e fsheh realiteti.
Të harrosh paraardhësit, do të thotë të jesh një përrua pa burim, një pemë pa rrënjë, thotë një fjalë e urtë kineze. Autorja e librit “Dy lulet e mia”, jo vetëm që nuk i ka harruar as burimin, as rrënjët, por aq e mishëruar ka qenë dhe ka mbetur me to, saqë kjo hetohet përgjatë të gjitha vargjeve të poezive të saj brenda kopertinave të këtij libri. /2LONLINE/