(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike si gjithnjë aktive në sektorët të cilët i menaxhon, duke ofruar punë konkrete dhe intervenime të natyrave të ndryshme në shërbim të qytetarëve, kanë thënë drejtues të kësaj drejtorie.
Sot është bërë largimi i deponive të egra dhe kështu do të vazhdohet edhe në pjesë të tjera të qytetit, dhe në sektor të tjerë ka njoftuar drejtori Sokol Haziri i cili ishte i shoqëruar edhe nga Kryesuesja e Kuvendit të Komunës znj. Valentina Bunjaku – Rexhepi.
Me këtë rast, drejtori Haziri ka thënë se Shërbimet Publike janë tërë kohën në terren në përmirësimin e infrastrukturës për qytetarët.
“Jemi sot këtu bashkë edhe me Kryesuesen e Kuvendit në eliminimin e deponisë së egër në lagjën e dytë të qytetit. Kjo deponi ka penguar banorët e zonës në aspektin ekologjik dhe në aspekte të tjera. Së shpejti kjo do të jetë një punë e kryer. Ky aktivitet dhe shumë të tjera që po punohen sot nëpër Gjilan e që menaxhohen nga drejtoria jonë, janë në kuadër të aktiviteteve të tre mujorit të fundit të këtij viti. Aktivitete të kësaj natyre pra në eliminim të deponive të egra do të ketë në të gjitha pjesët e qytetit por edhe kudo që evidentohen. Ne poashtu jemi duke vepruar edhe në sektorë të tjerë në kuadër të drejtorisë ngase nevojat janë të shumta ndërsa ne jemi të gatshëm të veprojmë në kohën më të shkurtër të mundshme dhe në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që qytetarët tanë ta kenë më të lehtë funksionimin në lagjen e tyre dhe kudo që lëvizin”, tha ai.
Ndërsa Bunjaku – Rexhepi ka thënë se ne jemi udhëheqës të Komunës së Gjilanit për të krijuar kushte më të mira për qytetarët tanë pa dallime kah ata jetojnë.
“Jemi të zgjedhurit e popullit dhe po punojmë me intensitet të shtuar gjithkah ku jetojnë qytetarët tanë pa dallime, sepse puna jonë është pretendimi për jetë më të lehtë të gjilanasve. Ndryshe nuk do të kishte kuptim. Do të jemi së bashku me qytetarët edhe në shumë projekte, në lagje të ndryshme të qytetit dhe në fshatra”, ka thënë ajo ndër të tjerash. /2L ONLINE/