Komunës së Kamenicës nga sot do t’i shtohet edhe një platformë tjetër online, e cila do të mundësoj që të jemi sa më afër qytetarëve dhe që qytetarët të jenë mirë të informuar.
Platforma online www.kamenica.live do të jetë në shërbim të qytetarëve në çdo kohë, duke ju ofruar informacione të përditësuara në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 në Komunën e Kamenicës.
Kjo platformë do të ketë informacione të sakta në kohë reale lidhur me numrin e të infektuarve, të shëruarve, të izoluarve, numrin e testimeve si dhe të gjitha të dhënat e tjera që janë me rëndësi për qytetarët e Kamenicës në lidhje me COVID-19. Gjithashtu të gjitha vendimet dhe udhëzimet e dhëna nga Qeveria, Minstritë, Komuna dhe Shtabi Emergjent Komunal do të mund t’i gjeni në këtë platformë.
Përveç të dhënave rreth komunës së Kamenicës, qytetarët do të kenë mundësi tek kjo platformë të informohen edhe për të dhënat në kohë reale nga vendet e rajonit dhe nga bota.
Veçantia e kësaj platforme do të jetë edhe rubrika EKONOMIA në të cilën të gjithë bujqit/fermerët e Komunës së Kamenicës, mund të regjistrohen duke vendosur numrat e tyre të telefonit, ku qytetarët mund t’i blejnë produktet e tyre bujqësore duke telefonuar ata deri në një vendim tjetër për hapjen e tregut.
Platforma www.Kamenica.live është zhvilluar pa kosto financiare-pro bono nga grupi Bashke per Shendetin.
Gjithashtu kjo platformë do të ofroj edhe shkrime apo informata të fundit lidhur me simptomat, mbrojtjen dhe fushatën senzibilizuese ndaj virusit SARS-CoV-2.